Shqipëria zgjeron hartën e vizitorëve të huaj

Miks News

Nëse dikur Shqipëria priste kryesisht turistë nga rajoni apo Italia fqinje, këtë vit panorama ka ndryshuar.

Nga Europa Qendrore, deri në Lindjen e Mesme e më tej, turistët po zbulojnë gjithnjë e më shumë destinacionet shqiptare.

Tur-operatorët konfirmojnë se harta gjeografike e vizitorëve është zgjeruar ndjeshëm dhe me ritme të shpejta.

“Tregu ndërkombëtar ka një rritje dinamike gjatë tri viteve të fundit. Italia ka vendin e parë. Dy tregjet e mëdha janë Britania dhe Gjermania. Pas këtyre vijnë, Franca, kemi dhe Spanjën”, tha Luan Dervishi, ekspert i turizmit.

Përveç diversitetit të origjinës, së fundmi po ndryshon edhe kohëzgjatja e qëndrimit të tyre.

Sipas operatorëve, ky është momenti për të ndërtuar një strategji afatgjatë për të rritur përfitimet.

“Ata që kërkojnë të zbulojnë Shqipërinë mund të kërkojnë të qëndrojnë kryesisht nga tetë deri në dhjetë ditë, pa përjashtuar edhe turet që mund t’i vazhdojnë rajonale. Mund të jenë pak më të shkurtra, pra njëjavore, edhe ato qëndrimet e atyre grupeve që vijnë me tur-operatorë”, tha Dervishi.

Ndërsa Shqipëria po shndërrohet në një destinacion gjithnjë e më të njohur në sytë e turistëve nga e gjithë bota, sfidë mbetet ruajtja e autenticitetit, rritja e cilësisë së shërbimeve dhe ndërtimi i një turizmi të qëndrueshëm që respekton kulturën dhe mjedisin.

Copyright © 2025 Miks News. All rights reserved.