“Shqipëria sot si dita me natën”, Rama: Dielli do të vijë kur të ulemi në tryezën e BE-së

Miks Albania

Kreu i qeverisë, Edi Rama, pasditen e sotme ka zhvilluar një takim të hapur me grupin e dytë të aplikantëve në platformën digjitale “Deputeti që duam.”

Shefi i qeverisë tha se platforma nuk është një humbje kohe, por një mënyrë që është gjetur për të kapërcyer murin që vazhdon ta ndajë PS me shoqërinë kur vjen puna te angazhimi i drejtpërdrejtë i njerëzve që mund të mos jenë pjesë e PS-së, por që dëshirojnë të bëhen pjesë e partisë.

Para të rinjve, Rama kujtoi disa nga arritjjet dhe progresin që ka bërë Partia Socialiste në këto vite qeverisje, që nga rritja e pagave dhe deri te rritja e numrit të turistëve. Por “dielli i plotë do të vijë kur vendi ynë të ulet në tryezën e BE-së si një vend anëtar me të drejta të plota”, theksoi Rama.

Edi Rama: Shqipëria ka humbur shumë kohë. Është shumë e vështirë të merresh me politikë dhe për këtë ju përgëzoj. Ju keni marrë përsipër të hyni në një arenë ku ka shumë baltë. Jo 10 milionë turistë të sjellësh në një vend, ku turizmi ishte një nga sektorët e prapambetur kur ne nisëm rrugëtimin tonë, por 100 milionë të sjellësh, prap ata që janë vendosur në këtë pozicion dhe përsërisin të njëjtën gjë me një shpresë prej budallai që mund të marrin një rezultat tjetër, do vazhdojnë të përsërisin këtë gjë dhe do të marrin sërish të njëtin rezultat.

Flet vetë fakti që ne kemi qenë një vend me 3300 euro për frymë. Sot jemi një vend me 9300 euro për frymë, pra e kemi trefishuar dhe ky trefishim është diçka që flet për një rrugë transformimi.  Sot kemi përpara nesh vetëm Malin e Zi dhe Serbinë që kanë 11 mijë euro për frymë dhe ne jemi në shifrën që ju thashë. Kur morëm detyrën paga minimale ishte 156 euro, sot është 400 euro. Paga mesatare në Shqipëri ishte 321, e përgjithshmja, sot është 750. Paga mesatare në sektorin publik është 900 euro.

Këto nuk na duhen që të ulemi dhe të shijojmë pamjen e Shqipërisë që kemi ndërtuar, këto na duhen që të kuptojmë se sa shumë kohë është humbur më parë dhe kjo na duhet se sa shumë më tepër mund të bëjmë ne. Sot kemi një pozicion të vendit që nuk e kishim. Kemi pasur një ekonomi me 2.8 mln euro eksporte, sot kemi një ekonomi me 5.8 mld euro eksporte. Pra janë pak, por ama janë shumë për të na dhënë arsyet që të kërkojmë më tepër. Shqipëria sot, kjo që kemi, me atë që kishim përara se të nisnim rrugën është si dita me natën. Dita me diell plot do të vijë kur Shqipëria të ulet në tryezën e BE-së.

Copyright © 2025 Miks News. All rights reserved.