Shqipëria thyen një tjetër rekord sa i takon flukseve të fluturimeve nga Aeroporti Ndërkombëtar i Rinasit.
Sipas klasifikimit të Këshillit Ndërkombëtar të Aeroporteve, vendi ynë ka rritur me 137% fluturimet ne krahasim me vitin 2019.
Ndërsa sipas të dhënave të konfirmuara nga aeroporti i Rinasit, trafiku ajror ka pësuar rritje edhe në krahasim me vitet e tjera.
Aktualisht fluturimet janë 36 % më shumë krahasuar me vitin 2022. Ky fakt e vendos Rinasin ndër aeroportet me rritjen më të madhe të numrit të fluturimeve.
Siç vihet re në publikimin e fundit Shqipëria lë pas shumë shtete si Greqia, Portugalia, Turqia, Spanja apo Italia.
Referuar fluksit të fluturimeve ajrore, sipas shifrave zyrtare të Aeroportit të Rinasit nga 1 Janari deri në Nëntor, Aeroporti i Tiranës arriti shifrën 6 milionë pasagjerë për këtë vit.
Ky numër përbën peshën kryesore të rreth 9 milionë turistëve që vizituan Shqipërinë deri në fund të Tetorit, duke shënuar një tjetër rekord përsa i përket sektorit të turizmit.