Sezoni turistik i këtij viti për Shqipërinë rezultoi mjaft i suksesshëm dhe duket se arritjet nuk do të ndalen me kaq pasi edhe viti 2024 premton të shënojë një rekord të ri.
Këtë në fakt thekson e përditshmja italiane “La Gazzetta del Mezzogiorno” sipas së cilës vendi ynë është në rrugën e duhur për të rrëmbyer edhe titullin e “Mbretëreshës së Turizmit 2024”.
Sipas presidentit të Unionit Shqiptar të Turizmit, Rrahman Kasa, operatorët turistike raportuan një rritje prej 35% të rezervimeve për vitin e ardhshëm.
Gazeta italiane thekson se disa hotele në Sarandë janë të rezervuara që tani për muajin Gusht. Edhe në qytetin e Vlorës disa resorte janë rezervuar për pikun e sezonit turistik të vitit 2024.
Ka shumë arsye pse Shqipëria është mjaft e suksesshme sa i përket turizmit dhe për faktin se pse po pëlqehet gjithnjë e më shumë edhe në mesin e italianëve.
Shqipëria është lehtësisht e aksesueshme, kjo edhe falë linjave të reja ajrore, që janë shtuar, distanca Itali-Shqipëri është shkurtuar ndjeshëm.
Një tjetër faktor i suksesit të turizmit shqiptar është planifikimi. Qeveria e drejtuar nga Edi Rama sapo ka nënshkruar një marrëveshje me “ITB Berlin”, panairin më të madh të turizmit në botë.
Shqipëria do të jetë zyrtarisht vendi i nderit për vitin 2025. Dhe programi i promovimit fillon në Mars 2024 dhe përfundon në Mars 2025. Shqipëria do të jetë gjithashtu organizatore e takimit të 70-të të Komisionit për Evropën të Organizatës Botërore të Turizmit, që do të zhvillohet në pranverë në Tiranë me pjesëmarrjen e 40 ministrave evropianë të Turizmit.