Shqipëri-BE, hapet të enjten në Bruksel grupkapitulli i tretë

Miks Albania

Në më pak se një muaj diferencë, Bashkimi Europian do të mbajë të enjten në Bruksel konferencën e pestë ndërqeveritare me Shqipërinë.

Bëhet fjalë për hapjen e bisedimeve për tetë kapituj të rinj të grupit të tretë i cili lidhet me konkurrueshmërinë dhe rritjen gjithëpërfshirëse.

Këto kapituj përfshijnë politikën ekonomike, punësimin, tatimet, arsimin dhe kulturën, bashkimin doganor si dhe median e transformimin digjital.

Përparimi në këto fusha është thelbësor për të garantuar stabilitetin fiskal të Shqipërisë, politika tatimore, modernizimin industrial, rritjen e inovacionit, përmirësimin e kushteve të punës dhe pjesëmarrjen në iniciativat evropiane të kërkimit shkencor, arsimit dhe digjitalizimit si dhe rritje për bizneset shqiptare.

Shqipëria do të përfaqësohet në këtë konferencë me ministrin e Jashtëm Igli Hasani, kryenegociatoren Majlinda Dhuka dhe ministren për administratën publike Adea Pirdeni. Deri tani janë hapur negociatat gjithsej për 27 fusha (kapituj dhe kritere) në vetëm tetë muaj, pas hapjes me sukses të Grupimit 1 (Themeloret) më 15 Tetor 2024, Grupimit 6 (Marrëdhëniet me Jashtë) më 17 Dhjetor 2024, si dhe Grupimit 2 (Tregu i Brendshëm) më 14 Prill 2025.

Shqipëria synon që brenda këtij viti të hapen edhe grup-kapitujt e mbetur, ndërsa brenda vitit 2027-të përfundojmë negociatat duke pasur 2030-tën si vitin e anëtarësimit të plotë në familjen evropiane.

Copyright © 2025 Miks News. All rights reserved.