Shpërthim në Mitrovicën e Veriut

Policia e Kosovës tha se në orët e para të 3 korrikut ka ndodhur një shpërthim në Mitrovicë të Veriut, komunë e banuar me shumicë serbe.

Sipas Policisë, mjeti që ka shpërthyer dyshohet të ketë qenë shok-bombë, shkruan REL.

Ngjarja ka ndodhur në orën 00:52 në lagjen Tre rrokaqiejt. Zyrtarët policorë, sipas njoftimit, “nuk kanë hasur në dëme anësore” nga ky shpërthim.

Shok-bombat nuk konsiderohen mjete shkatërruese. Megjithatë, ato prodhojnë zhurmë të madhe që çorienton shqisat.

Së fundmi, në komunat në veri të Kosovës, janë regjistruar disa sulme me shok-bomba dhe granata dore.

Sulmi i fundit me shok-bombë ndodhi në Zveçan më 18 qershor. Po ashtu, sulme me shok-bomba ka pasur edhe pranë stacioneve në Zveçan dhe Mitrovicë të Veriut.

Më 26 qershor, objekti komunal i Mitrovicës së Veriut u sulmua me granatë dore, duke shkaktuar dëme materiale.

Copyright © 2024 Miks News. All rights reserved.