Lavdosh Metaj, 39-vjeçari ish-efektiv i forcave “Shqiponja” të Sarandës është dënuar me 5.4 vjet burg nga Gjykata e Sarandës. Vendimi është dhënë pak ditë më parë nga gjyqtarja Suela Xhani e cila ka dhënë vendim për dënimin e tij me 8 vjet heqje lire, por në aplikim të gjykimit të shkurtuar i është ulur 1/3 e dënimit duke u dënuar përfundimisht me 5.4 vjet.
Metaj është arrestuar më 12 qershor 2021 pas një operacioni të SHCCBA, në kuadër të hetimeve që zhvilloheshin ndaj tij për shpërndarje kokainë në Sarandë. Gjatë arrestimit të tij, kontrolli personal dhe ai në banesë i zbuloi 166.6 gram kokainë, 350 euro, 21 mijë lekë të reja dhe 3 celularë.
Biznesmeni Romeo Laze, 42 vjeç, i arrestuar në 28 gusht 2021 në kuadër të operacionit “Çuka”, u dënua nga Gjykata e Sarandës pak ditë më parë me 4.7 vjet burgim. Ai u gjet fajtor nga gjyqtari Fatmir Ndreu për akuzën “prodhim dhe shitje të lëndëve narkotike”. Gjykata vendosi dënimin e tij me 7 vjet burgim, por në aplikim të gjykimit të shkurtuar iu ul 1/3 e dënimit. Gjatë kontrollit të banesës së Lazes policia e Sarandës gjeti dhe sekuestroi 1.2 kg kokainë, 3 peshore elektronike, një shumë të konsiderueshme në lekë dhe euro si dhe 3 automjete e 3 motoçikleta.
Hysni Selmanaj, 40 vjeç u dënua nga Gjykata e Sarandës me 1 vit e 1 muaj e 12 ditë burgim. Ai u gjet fajtor nga Gjyqtarja Suela Xhani për veprën penale “prodhimi dhe mbajtja pa leje e armeve luftarake dhe municionit”. Gjykata e dënoi atë me 1 vit e 8 muaj burgim, por në aplikim të gjykimit të shkurtuar përfitoi ulje të 1/3 së dënimit. Selmanaj u arrestua nga policia e Sarandës në 12 shkurt 2022 ku gjatë kontrollit në banesë iu gjet dhe sekuestrua një granatë ofensivë së bashku me ndezësin.