Shoferja humb kontrollin dhe godet makinën e policisë, plagosen dy efektivë

Një aksident ka ndodhur mesditën e sotme, 9 nëntor, në aksin rrugor Fier-Patos, ku janë përplasur një automjet policie dhe një makinë tip “Benz”, duke lënë të lënduar tre persona.

Ngjarja raportohet të ketë ndodhur rreth orës 14:40, kur drejtuesja e automjetit, shtetasja M. H., ka humbur kontrollin e makinës dhe ka përplasur automjetin e policisë me drejtues punonjësin F. Sh.

Si pasojë, dy efektivë të komisariatit të Fierit dhe drejtuesja e makinës janë dërguar në spital, ku po marrin ndihmë mjekësore dhe fatmirësisht ndodhen jashtë rrezikut për jetën.

Grupi hetimor po vijon punën për të sqaruar rrethanat dhe shkakun e aksidentit.

“Rreth orës 14:40, në aksin rrugor “Fier-Patos”, shtetasja M. H. duke drejtuar automjetin, ka humbur kontrollin dhe për pasojë ka goditur automjetin e policisë rrugore, me drejtues punonjësin e policisë F. Sh. Për pasojë është dëmtuar shtetasja M. H. dhe dy punonjësit e policisë, të cilët ndodhen në spital, jashtë rrezikut për jetën”, njofton Policia për ngjarjen.

Copyright © 2026 Miks News. All rights reserved.