Shmanget tragjedia në Fier, merr flakë bombola e gazit në katin e tretë të pallatit, zonja e shtëpisë me djegie në fytyrë

Miks Albania

Një incident i rrezikshëm është regjistruar mëngjesin e sotëm në lagjen “Kastriot” të qytetit të Fierit, ku për pak sa nuk u kthye në një tragjedi. Rreth orës 08:00, në katin e tretë të një pallati trekatësh, një bombul gazi ka marrë flakë, duke shkaktuar panik te banorët.

E zonja e banesës, e cila ishte e pranishme në momentin e shpërthimit të zjarrit, ka reaguar menjëherë dhe ka arritur të shuajë flakët, por ka pësuar djegie në fytyrë dhe nuk ka mundur të mbyllë valvulën e bombulës. Për shkak të situatës së rrezikshme, ajo ka marrë dëmtime dhe është dërguar në Spitalin Rajonal të Fierit për trajtim mjekësor. Mësohet se ndodhet jashtë rrezikut për jetën.

Menjëherë pas njoftimit, në vendngjarje kanë mbërritur dy mjete zjarrfikëse, ambulanca dhe forcat e policisë. Për të parandaluar një shpërthim të mundshëm nga akumulimi i gazit, zjarrfikësit kanë hapur dritaret dhe kanë kryer ajrosjen e ambientit, ndërsa banorët e pallatit janë evakuuar përkohësisht.

Policia u ka bërë thirrje edhe drejtuesve të mjeteve në zonë që të mos ndezin automjetet, pasi në ajër ndihej fort era e gazit. Pas ndërhyrjes së forcave zjarrfikëse me pajisje kundër gazit, bombula është larguar në mënyrë të sigurt.

Copyright © 2025 Miks News. All rights reserved.