Të lexosh mendimin dhe ta përkthesh në fjalë. Ky është kufiri i ri i prekur nga shkenca. Bëhet fjalë për një studim prototip, i eksperimentuar vetëm në disa persona, por që ka rezultuar i suksesshëm.
Ekipi shkencor i Universitetit Stanford ka krijuar një mikroçip, i cili është implantuar në tru tek disa pacientë të paralizuar, me qëllim dekodifikimin e monologut të brendshëm dhe përkthimin e mendimeve në fjalë konkrete me anë të teknologjisë.
Eksperimentet e realizuara deri më sot me mikroçip të implantuar në tru kanë qenë kryesisht me qëllim marrjen e sinjaleve nervore dhe kthimin e tyre në lëvizje të caktuara të gjymtyrëve të paralizuara. Kësaj here, shkenca shkon përtej, duke deshifruar dhe interpretuar mendimin e njeriut, duke e kthyer në fjalë, e jo në komanda lëvizjeje.
Studimi është publikuar në revistën ndërkombëtare Cell, dhe natyrisht cilësohet një hap i parë në këtë drejtim, por ka ngjallur edhe një debat të madh etik. Leximi i mendimit dhe përdorimi i tij do të ndikonte mjaft te njerëzimi dhe do të ndryshonte themelet e shoqërisë njerëzore, me keqpërdorimet që mund të lindin.
