Sherri mes vajzave në Tiranë/ Policia: 5 të miturit po merren në pyetje, skenën e dhunës e filmoi një djalë

Gjatë ditës së sotme, u raportua se një ngjarje e rëndë ka ndodhur në kryeqytet, ku disa nxënëse të shkollës nëntëvjeçare “Kongresi i Manastirit” janë filmuar nga bashkëmoshatarët gjatë një sherri fizik ku nuk kanë munguar ofendimet me fjalë banale, dhuna fizike me shkulje flokësh, shkelma e grushte.

Në fillim u tha se ngjarja ka ndodhur në ambientet e shkollës në fjalë, por më pas me anë të një reagimi, drejtoresha e institucionit shpreh se ngjarja ka ndodhur rreth një kilometër larg shkollës. Lidhur me ngjarjen ka reaguar policia e cila shkruan se 5 të miturit po merren në pyetje, ndërsa shton se skenën e dhunës e filmoi një djalë.

Sipas policisë deri tani është bërë e mundur identifikimi i një të mituri që kishte filmuar konfliktin, si dhe identifikimi i 4 të miturave të përfshira në konflikt. Gjithashtu më ambientet e Komisariatit të Policisë Nr. 6, në prezencë të prindërve dhe të punonjësve socialë, janë shoqëruar dhe po intervistohen 5 të mitur të moshave 13 dhe 14 vjeç (një djalë e 4 vajza).

Reagim i Drejtorisë Vendore të Policisë Tiranë

Në lidhje me një video të publikuar në portale ditën e sotme, në të cilën shfaqen disa të mitura që dhunojnë një bashkëmoshataren e tyre, ju sqarojmë se:

Shërbimet e Komisariatit të Policisë Nr. 6, menjëherë pas publikimit të pamjeve filmike, organizuan punën për identifikimin e shtetaseve që shfaqen në video si dhe sqarimin e rrethanave të kësaj ngjarjeje.

Pas verifikimive të kryera për identifikimin e tyre, në bashkëpunim edhe me drejtorinë e shkollës, u bë i mundur identifikimi i një të mituri që kishte filmuar konfliktin, si dhe identifikimi i 4 të miturave të përfshira në konflikt.

Në ambientet e Komisariatit të Policisë Nr. 6, në prezencë të prindërve dhe të punonjësve socialë, janë shoqëruar dhe po intervistohen 5 të mitur të moshave 13 dhe 14 vjeç (një djalë e 4 vajza).

Nga verifikimet paraprake të kryera, ka rezultuar se ngjarja ka ndodhur me datë 15.02.2023, në rrugën “3 Dëshmorët”, dhe jo në ambientet e shkollës “Kongresi i Manastirit”.

Vijon puna për sqarimin e rrethanave të konfliktit nëpërmjet shtetaseve të mitura.

Drejtoria Vendore e Policisë Tiranë falënderon mediat dhe qytetarët që denoncojnë rastet e paligjshmërisë dhe i fton sërish ata që të denoncojnë çdo rast paligjshmërie, në numrin 112, duke iu garantuar anonimat të plotë dhe reagim të menjëhershëm e të paanshëm.

Copyright © 2024 Miks News. All rights reserved.