Policia ka ndërhyrë duke parandaluar përshkallëzimin e mundshëm të konfliktit mes dy familjeve në fshatin Arapaj të Durrësit. Shkak është bërë prishja e martesës mes dy të rinjsh. Tre persona janë arrestuar, mes të cilëve dhe dhëndri 33 vjeçar, ndërsa nusja është proceduar në gjendje të lirë.
Sipas policisë, babai dhe vajza kanë shkuar në banesën e dhëndrit në Arapaj me qëllim prishjen e martesës por u konfliktuan fizikisht me njëri-tjetrin duke ushtruar dhunë. Në sherr u përfshi edhe një 59 vjeçare. Policia ka ndërhyrë menjëherë duke shmangur përdorimin e armëve.
Pas një kontrolli në banesën e 33 vjeçarit, policia gjeti një armë zjarri kallashnikov dhe 30 fishekë luftarak, të cilët u sekuestruan në cilësinë e provës materiale. Dhëndri u arrestua për veprat penale “Mbajtja pa leje dhe prodhimi i armëve, armëve shpërthyese dhe i municionit” dhe “Dhuna në familje”.
Babai i vajzës u arrestua për veprën “Dhuna në familje” ndërsa 59 vjeçarja për veprën “Mbajtja pa leje dhe prodhimi i armëve, armëve shperthyese dhe i municionit” dhe “Dhuna ne familje”. Nusja 20 vjeçare u procedua në gjendje të lirë për dhunë në familje.