SHBA/ Të shtëna me armë zjarri në Filadelfia, 5 të vrarë dhe 2 fëmijë të plagosur

Pesë persona janë vrarë dhe dy fëmijë janë plagosur pasi një burrë i veshur me jelek antiplumb hapi zjarr në qytetin amerikan të Filadelfias.

Atentatori i dyshuar, një 40-vjeçar u arrestua dhe ndodhet në paraburgim. Mediat raportojnë se ai mbante një pushkë tip AR-15, një pistoletë, një skaner policie dhe municione.

Mësohet se ai nuk ka lidhje apo njohje me viktimat dhe nuk kishte ndonjë motiv për të qëlluar mbi ta.

Dhjetra gëzhoja u gjetën në një zonë të madhe që përfshin tetë blloqe, e cila është rrethuar nga hetuesit.

Ende nuk është bërë i ditur identiteti i autorit por policia është në kërkim të arsyes së atenatit të krimit.

Sulmi në prag të Ditës së Pavarësisë erdhi vetëm një ditë pasi dy persona vdiqën dhe 28 u plagosën – rreth gjysma e tyre fëmijë – në një të shtëna në Baltimore, Maryland.

Policia atje është ende në kërkim të të dyshuarve që hapën zjarr gjatë një mbledhjeje vjetore të komunitetit.

Copyright © 2024 Miks News. All rights reserved.