Rusia po ndihmon Iranin me informacion për të sulmuar forcat amerikane

The Washington Post, duke cituar tre zyrtarë, raporton se Rusia po i jep Iranit informacion mbi pozicionet e forcave amerikane në Lindjen e Mesme, duke shënuar herën e parë që një tjetër konkurrent kryesor bërthamor i SHBA-së përfshihet, edhe indirekt, në konflikt.

Që prej fillimit të luftës të shtunën e kaluar, Rusia i ka dhënë Iranit vendndodhjet e objekteve ushtarake amerikane, përfshirë anijet dhe avionët, thanë zyrtarët, të cilët kërkuan anonimitet për shkak të natyrës së ndjeshme të informacionit.

“Duket se është një përpjekje mjaft gjithëpërfshirëse,” tha një prej tyre.

Ambasada ruse në Uashington nuk iu përgjigj kërkesës për koment. Moska ka kërkuar ndalimin e luftës, duke e cilësuar një “akt agresioni të paprovokuar”.

Dy nga zyrtarët thanë se Kina nuk duket se po ndihmon Iranin, pavarësisht lidhjeve të ngushta mes dy vendeve. Ambasada kineze gjithashtu nuk iu përgjigj kërkesës për koment, ndërkohë që Pekini ka bërë thirrje për përfundimin e konfliktit.

Ekspertja Nicole Grajewski nga Belfer Center at Harvard Kennedy School tha se sulmet iraniane kanë treguar një nivel të lartë sofistikimi, duke goditur në mënyrë të saktë objektivat.

Ndërkohë Pentagonit po i shterojnë me shpejtësi furnizimet e tij me armë precize dhe interceptorë të mbrojtjes ajrore, thanë për The Washington Post persona që kanë dijeni për çështjen.

Irani ka qenë një nga mbështetësit kryesorë të Rusisë gjatë luftës në Ukrainë, duke ndarë teknologjinë për të prodhuar dronë sulmues, të cilët janë përdorur vazhdimisht për të mbingarkuar mbrojtjen ajrore të Kievit dhe për të shterruar stoqet perëndimore të interceptorëve të dhuruar për të mbrojtur qytetet ukrainase.

Gazeta “The Post” ka raportuar më parë se, pavarësisht goditjes ndaj njërit prej partnerëve të saj më të ngushtë, Kremlini sheh avantazhe të mundshme në një luftë të zgjatur midis SHBA-së dhe Iranit, duke përfshirë të ardhura më të larta nga nafta dhe një krizë akute që e shpërqendron Amerikën dhe Evropën nga lufta në Ukrainë.

Irani, udhëheqësi suprem i të cilit u vra në fillim të konfliktit, mund të bëhet vendi i fundit që humbet një qeveri pro-ruse në vitet e fundit, pas një kryengritjeje siriane në fund të vitit 2024 që rrëzoi diktatorin e hershëm Bashar al-Assad dhe bastisjes ushtarake amerikane për të kapur presidentin venezuelian Nicolás Maduro në janar.

Copyright © 2026 Miks News. All rights reserved.