Rusia godet me 40 raketa Ukrainën, të paktën 20 të vrarë

Miks Albania

Të paktën 20 persona u vranë dhe mbi 50 u plagosën të hënën në një sulm të madh rus me raketa, njoftuan zyrtarët ukrainas. Një raketë ruse goditi një spital të madh të fëmijëve në Kiev. Ekipet e urgjencave po vazhdojnë të kërkojnë për të mbijetuar nën rrënoja.

Objekte banimi dhe infrastruktura publike e pesë qytete ukrainase u goditën me mbi 40 lloje të ndryshme raketash, sipas një njoftimi të Presidentit ukrainas Volodymyr Zelenskyy në rrjetet sociale.

Dhjetë persona u vranë dhe 37 u plagosën në një sulm të shkallës së gjerë me raketa në qytetin Krivi Rih, në pjesën qendrore të Ukrainës, sipas zyrtarit Oleksandr Vilkul.

Në spitalin e fëmijëve “Okhmatdyt” në Kiev, ekipet e kërkim-shpëtimit vazhdojnë kërkimet për të mbijetuar nën rrënojat e një pjesë të shembur të spitalit, njoftoi Presidentit Zelensky. Ai tha se numri i të vdekurve nuk dihet ende.

Mbikëqyrës i një ekipi vullnetar mjekësor, Vsevolod Dorofieiev tha se sulmet kanë shkaktuar të vdekur, por ai nuk foli për sa viktima bëhet fjalë dhe sa në mesin e tyre ishin fëmijë e sa të rritur.

Në rrjete sociale, Presidenti Zelenskyy tha: “Është shumë e rëndësishme që bota të mos qëndrojë e heshtur tani dhe të gjithë ta shohin se kush është Rusia dhe çfarë po bën ajo.”

Sulmi vjen në prag të takimit tre-ditor të NATO-s në Uashington, që do të shqyrtojë garancitë Ukrainës se si aleanca do të angazhohet për të vazhduar përkrahjen ndaj saj dhe t’u japë shpresë ukrainasve që vendi i tyre mund t’ia dalë në konfliktin më të madh në Evropë që nga Lufta e Dytë Botërore.

Një ndërtesë dykatëshe në kompleksin e spitalit të fëmijëve u shkatërrua pjesërisht ndërkohë që dritaret dhe dyert e ndërtesës kryesore dhjetë-katëshe të spitalit u thyen dhe muret ishin bërë të zeza. Një dhomë brenda spitalit ishte spërkatur me gjak.

Personeli mjekësor dhe banorët ndihmuan në heqjen e rrënojave ndërkohë që po kërkonin fëmijët dhe punonjësit mjekësorë nën to.

Spitalin u detyrua të mbyllet dhe të evakuohet pas sulmit. Disa nëna bartnin fëmijët e tyre në shpinë. Të tjerët prisnin me fëmijët e tyre në oborrin e spitalin ndërkohë që mjekët nuk po u përgjigjeshin telefonatave të tyre.

Në pjesët e tjera të Kievit, shtatë persona u vranë dhe 25 u plagosën si pasojë e sulmi më i fuqishëm rus në katër muajt e fundit, sipas zyrtarëve. Sulmet e kryera gjatë ditës përfshinë përdorimin e raketave hipersonike “Kinzhal”, njërën prej armëve më të avancuara ruse, sipas forcës ajrore ukrainase. Raketat “Kinzhal” janë dhjetë herë më të shpejta se shpejtësia e zërit dhe vështirë të kapshme për sistemet kundërajrore.

Ndërtesat e qytetit u lëkundën nga shpërthimet. Një pjesë e tërë e një ndërtese banimi shumëkatëshe në njërën nga lagjet e Kievit u shkatërrua, sipas zyrtarëve. Tre nënstacione të energjisë elektrike u dëmtuan apo u shkatërruan plotësisht në dy lagje të Kievit, sipas kompanisë DTEK.

Shefi i kabinetit të presidentit të Ukrainës, Andrii Yermak tha se sulmi ndodhi në një kohë kur shumë njerëz ishin rrugëve të qytetit.

Kryebashkiaku i Kievit, Vitalii Klitschko tha se vlerësimet zyrtare të pasojave të sulmit ende po vazhdojnë./VOA

Copyright © 2024 Miks News. All rights reserved.