Rumania dhe Polonia në alarm nga avionët rusë

Rusia shkel sërish hapësirën ajrore të NATO-s. Një avion pa pilot hyri të shtunën në hapësirën ajrore të Rumanisë, duke shkaktuar alarm te autoritetet. Në ajër u ngritën avionë luftarakë, të cilët e ndoqën atë, por më pas “u zhduk nga radari”.

Në alarm u vu sërish edhe Polonia, që identifikoi dronin në hapësirën e saj, duke bërë që të mbyllet një aeroport në qytetin lindor të Lublinit. Edhe Varshava ngriti në ajër avionët e saj ushtarakë, ndërsa niveli i alarmit u rrit në maksimum, edhe pse autoritetet thanë se rreziku ishte shmangur.

Sekretari i Shtetit, Marco Rubio, e ka quajtur të papranueshme shkeljen e hapësirës ajrore polake nga dronët rusë, por mbetet e paqartë nëse ka qenë e qëllimshme.

“Është një zhvillim i rrezikshëm. NATO reagoi në mënyrë të përshtatshme. Nuk duam që kjo ngjarje të ndodhë përsëri. Nuk ka dyshim që dronët janë lëshuar qëllimisht, por ende nuk dihet nëse ishin të destinuar për të hyrë në Poloni. Nëse kjo vërtetohet, do të ishte një hap i madh drejt përshkallëzimit”.

NATO njoftoi masa shtesë për forcimin e mbrojtjes së krahut lindor, ndërsa Polonia kërkoi veprime konkrete të SHBA-së në shenjë solidariteti.

Në OKB, Shtetet e Bashkuara i cilësuan incidentet alarmante dhe përsëritën angazhimin për të mbrojtur çdo centimetër të territorit të NATO-s. Nga ana tjetër, Moska tha se objektivat e saj ishin në Ukrainë dhe se hyrja në hapësirën polake nuk ishte e qëllimshme.

Një ngjarje që rrezikon të shtojë tensionet midis Moskës dhe aleancës atlantike, duke e bërë Evropën Lindore edhe më të brishtë përballë luftës që vijon në Ukrainë.

Copyright © 2026 Miks News. All rights reserved.