Fadromat e Inspektoriatit Kombëtar për Mbrojtjen e Territorit vazhdojnë prej një jave prishjen e godinave në Parkun Kombëtar të Thethit.
Gjatë të shtunës në territor është shtuar prezenca e Policisë së Shtetit, pas ngjarjes së rëndë të një dite më parë, kur u tentua të digjej një urë dhe u hodhën bomba Molotov drejt fadromës së IKMT.
Për këtë incident policia ende nuk ka arritur të identifikojë autorët, ndërkohë që debatet mes punonjësve të IKMT dhe banorëve të cilëve po u prishen banesat kanë vazhduar edhe sot. “Jo me molotovë o zotëri, çfarë faji të ka ty punonjësi i fadromës?”
Ndërkohë mjetet e rënda vijojnë me shembjen e objekteve të ndërtuara në kundërshtim me ligjin, duke u shtrirë tashmë në çdo skaj të fshatit.
Thethi brenda një jave është shndërruar nga një fshat i mbipopulluar me turistë në një end ku të vetmit vizitorë janë punonjësit e shtetit me apo pa uniformë. Ndërkohë banorët e zonës mbeten të tronditur nga aksioni duke theksuar se ky aksion është një pabesi, pasi vetë Kryeministri Rama u tha të kthehen në fshat për të investuar.
“Unë i kërkova kohë shefit, të gjithëve, më jepni kohë të çmontoj, të shpëtoj diçka. Këtu vazhdojnë si me qenë Rama zoti.”
“Doli Edi Rama tha “ju ktheheni prej jashtë shtetit e investoni”, atë vit e kena nis ne. Sa foli ai kemi marrë lekë borxh.”
“S’kena shtet, na bombardo me kallash, në mes të sezonit turistik. Me ardh në dialog ketu, jena popull.”
Ndërhyrja në zonën e Thethit ka nxitur reagime edhe nga subjekte politike dhe përfaqësues të komunitetit fetar. Kisha Katolike në Shkodër ka bërë thirrje për ruajtje të qetësisë, dialog dhe komunikim mes banorëve dhe institucioneve përgjegjëse, në mënyrë që situata të menaxhohet pa përplasje
