Rikthehet maratona e Tiranës, rreth 4 mijë vrapues vendas e të huaj në kryeqytet!

Miks News

Maratona e Tiranës do të rikthehet për herë të tetë në kryeqytet në datën 20 tetor, duke mirëpritur rreth 4 mijë vrapues nga vende të ndryshme të botës.

“Do të vijnë vrapues nga Andorra, Danimarka, Estonia, Finlanda, Franca, Hungaria, India, Irlanda, Japonia, Lituania, Malta, Holanda, Norvegjia, Polonia, Portugalia, Rumania, Rusia, San Marino, Serbia, Sllovakia, Sllovenia, Afrika e Jugut, Spanja, Suedia, Zvicra, Turqia, Ukraina, Anglia, dhe kur shikoj se kemi vrapues edhe nga Meksika, Maroku, Kenia, Kanadaja, do të thotë se praktikisht po na vjen e gjithë bota në shtëpi. Ne e dimë edhe nga historia e Luizës apo Taulantit, se një atlet është edhe një influencer”, tha kryebashkiaku i Tiranës, Erion Veliaj.

Në takimin me organizatorët, për të diskutuar për detajet e fundit, kryebashkiaku Erion Veliaj njoftoi se  në ditën e maratonës do të ketë bllokim të disa rrugëve në Tiranë.

“Përveçse emergjencave, çdo qytet, edhe Nju Jorku, Tokio, Londra, Berlini, çdo vend që ju keni parë, maratonën e respekton si një mundësi e jashtëzakonshme për sportin. Nëse një turisti i duhen 10 ditë për të parë çdo gjë në Tiranë, ata të maratonës praktikisht për 1-2 orë do shohin gjithë pikat kryesore të Tiranës dhe do marrin shijen e qytetit tonë”, tha Veliaj.

Në fund të maratonës do të ndahen disa çmime për disa kategori, 42 km, 21 km, 10 km dhe 5 km.

Copyright © 2024 Miks News. All rights reserved.