Vala e të nxehtit që ka mbërthyer Shqipërinë që nga fundi i qershorit vijon. Edhe kjo e enjte do të karakterizohet nga masa ajrore të thata dhe shumë të nxehta, duke përforcuar më tej kushtet për mot përvëlues në të gjithë territorin.
Zonat qendrore dhe të brendshme të vendit, përfshirë Tiranën, Elbasanin, Fierin dhe Beratin, do të përballen me temperatura ekstreme që do të luhaten nga 38 deri në 40°C. Ndjesia termike do të jetë akoma më e lartë, duke e bërë të vështirë çdo aktivitet në ambiente të hapura gjatë orëve të mesditës.
Ndërkohë, bregdeti do të ofrojë pak freski në mëngjes, me temperatura që do të variojnë nga 18 deri në 22°C në qytete si Durrësi, Vlora dhe Saranda. Megjithatë, edhe këto zona do të përjetojnë temperatura të larta gjatë ditës, duke arritur në 35–37°C. Era pritet të jetë e lehtë deri mesatare, me një dallgëzim të lehtë në det.
As zonat malore nuk do t’i shpëtojnë të nxehtit. Në qytete si Përmeti, Kukësi, Korça dhe Puka, temperaturat ditore do të arrijnë deri në 38°C, ndërsa mëngjeset do të nisin me vlera minimale prej 16°C, duke u ngjitur gjatë ditës në 30–34°C.
Në përgjithësi, vendi mbetet nën ndikimin e një moti të thatë dhe jashtëzakonisht të nxehtë. Autoritetet këshillojnë qytetarët të shmangin ekspozimin e gjatë në diell, sidomos në orët e mesditës, dhe të kujdesen për hidratimin e vazhdueshëm.
