Teksa jemi në prag të mbylljes se 2023, Aeroporti Ndërkombëtar i Tiranës ka regjistruar shifrën rekord prej 7 milionë pasagjerëve. Sipas Shefit Operacional të aeroportit krahasuar me 2022, fluksi i pasagjerëve në Rinas është rritur me mbi 35%.
“Është arritje e madhe për Tiranën, arritje e madhe për industrinë e aviacionit shqiptar për përpunimin e 7 milionë pasagjerëve pa probleme fale edhe zgjerimit të kapaciteteve teknike dhe njerëzore. Ky nuk është fundi, por fillimi i suksesit tonë të përbashkët.
Krahasuar me vitin 2022 rritja e fluksit të pasagjerëve është mbi 35% ç’ka përbën një sukses të madh për këtë industri në Shqipëri. Ndërsa po të bëjmë krahasime me vitin 2019 para pandemisë, Aeroporti Ndërkombëtar i Tiranës rezulton të ketë rritjen më të madhe të fluksit të pasagjerëve në Europë me më shumë se 120%. Këto janë rezultate të jashtëzakonshme edhe falë kompanive low cost që i janë bashkuar tregut shqiptar.”
Edhe operatorët e kompanive low cost shprehen se tregu shqiptarë është mjaft i përshtatshëm për investimet e tyre.
“Jemi shumë të lumtur që po zgjerohemi gjithnjë e më shumë në tregun shqiptar, pasi nga dhe drejt Tiranës kemi tashmë mbi 50 destinacione të ndryshme kudo nëpër Europë.”
Në prag të festave të fundvitit, Aeroporti Ndërkombëtar i Tiranës pritet të përballet me fluks të madh pasagjerësh si të shqiptarëve që kthehen për të festuar në atdhe, por edhe turistët e shumtë që zgjedhin për të vizituar Shqipërinë edhe gjatë kësaj periudhe të dimrit.