Teksa dha lajmin se nga data 3 Korrik do të mbyllen sportelet e Kadastrës dhe se shërbimet do të kryhen nëpërmjet e-Albania, kryeministri Rama hodhi akuza të forta për korrupsion në zyrat e këtij institucioni.
Rama theksoi se pas kësaj reforme pret që të ketë doreheqje masive nga zyrat e Kadastrës Shtetërore, ndërsa kërkoi nga ministrat dhe deputetët që të mos ketë ndërhyrje për punësime në këtë sektor.
Kreu i qeverisë theksoi se punonjësit e aftë që do të mbeten në detyrë, do të vijojnë trajnimet dhe kualifikimet.
“Pres dorëheqje masive nga Kadastra dhe nga ana tjetër Drejtorja e ka shumë të qartë. E para, punonjësit e kësaj banke duhet të jenë bankierë, jo banakierë, prandaj do t’ju lutesha mos bëni asnjë ndërhyrje për askënd. Rritja e pagave të Kadastrës mund të jetë shumë e konsiderueshme sepse punonjësit duhet të paguhen nga shteti dhe jo nga qytetarë dhe për këtë kemi diskutuar, kështu që unë përfitoj nga rasti që t’u bëj të gjithë atyre që janë profesionistë, në ato profesione që Kadastra kërkon, që të aplikojnë, sepse realisht janë të domosdoshëm. Brenda Kadastrës ka plot njerëz që e dinë punën. Shpresoj që një pjesë e atyre të mbeten. Kush do qëndrojë, do vazhdojë trajnimet, do vazhdojë kualifikimet”-tha Rama.