Shqipëria hapi sot katër kapituj të tjerë të negociatave për anëtarësim në Bashkimin Evropian.
Në orën 08:00, në Bruksel u mbajt Konferenca e 6-të ndërqeveritare me Unionin evropian për Grupkapitullin IV: “Agjenda e Gjelbër dhe Ndërlidhja e Qëndrueshme”, ku u hapën 4 kapituj të tjerë: Politika e transportit, Energjia, Rrjetet trans-evropiane, Mjedisi si dhe ndryshimet klimatike.
Takimi u bashkëdrejtua nga Marie Bjerre, ministrja për Çështjet Evropiane e Danimarkës, vend që mban aktualisht presidencën e BE-së, dhe kryeministri Edi Rama i cili udhëtoi drejt Brukselit një ditë më parë.
Komisionerja për Zgjerimin, Marta Kos, përgëzoi Shqipërinë për progresin e bërë dhe theksoi objektivin për përmbylljen e negociatave deri në vitin 2027.
Marta Kos: I dashur Edi, ky është muri i zgjerimit. Tani jemi të përqendruar te kjo pjesë, sepse ky është vërtet një përjashtim i mënyrës se si e bënim këtë. Shqipëria ka ecur shumë shpejt. Kur erdha në dhjetor, thuajse gjithçka ishte me të kuqe. E kuqja tregon se nuk është hapur ende, e verdha është hapur dhe e gjelbra që është mbyllur provizorisht.
Edi Rama: Atëherë duhet të vendosim të verdha aty.
Marta Kos: Sigurisht. Sapo kemi çelur një tjetër grupkapitull. Kam nderin që ndërsa unë heq të kuqen, ju do të vendosni të verdhën.
Edi Rama: Kanë mbetur edhe pesë dhe çelen të gjitha.
Marta Kos: Sigurisht do ta bëjmë këtë brenda këtij viti, sipas planit, dhe e mbështes fort planin tuaj për të mbyllur negociatat, që do të thotë të gjitha të jenë me ngjyrë të gjelbër deri në vitin 2027 dhe pastaj t’ju kemi në BE sa më shpejt të jetë e mundur. Për mua është mbresëlënës përkushtimi, juaji personalisht dhe i ekipit që po ecën mirë.
Edi Rama: Edhe unë falenderoj ekipin tuaj në Shqipëri, që na rri gjithmonë mbi kokë për t’u siguruar që të mos shpërqendrohemi.
