Rama paralajmëron: Një shans i artë për Shqipërinë në BE , por dera mund të mbyllet!

Kryeministri Edi Rama, gjatë një takimi me grupin parlamentar të Partisë Socialiste në Kryesinë e Kuvendit, theksoi rëndësinë historike të zgjedhjeve të 11 majit për të ardhmen e vendit dhe procesin e integrimit evropian.

Sipas Ramës, rezultati i këtyre zgjedhjeve ka një peshë më të madhe se çdo palë zgjedhje të mëparshme, pasi Shqipëria ndodhet në një moment kyç për t’u bërë pjesë me të drejta të plota e Bashkimit Evropian. “Për herë të parë që nga koha kur jam në Partinë Socialiste dhe në krye të qeverisë, ambicia jonë për integrimin evropian përputhet plotësisht me atë të BE-së për ta përfshirë Shqipërinë në familjen e saj,” u shpreh Rama.

Ai paralajmëroi se kjo dritare mundësie nuk do të jetë e hapur përgjithmonë dhe se procesi i anëtarësimit mund të hasë në pengesa nëse Shqipëria nuk përmbush pritshmëritë e Brukselit. “Marrëdhëniet tona me BE-në mund të kthehen në ‘business as usual’, ku ndonjë shtet anëtar të vendosë kushte të reja apo të kërkojë shtyrje të mëtejshme,” shtoi ai.

Kryeministri vuri në dukje se aktualisht, interesat strategjike të Bashkimit Evropian për zgjerim janë më të forta se kurrë, çka krijon një mundësi unike për Shqipërinë. “Kjo është një dritare e hapur që ne nuk do të lejojmë ta humbasim,” përfundoi Rama.

Copyright © 2025 Miks News. All rights reserved.