Rama deklaroi të mbyllur procesin e “Ballkanit të Hapur”, Vuçiç nuk e beson

Presidenti i Serbisë, Aleksandër Vuçiç, ka reaguar pas deklaratës së kryeministrit shqiptar, Edi Rama, i cili tha se e konsideron të mbyllur procesin e “Ballkanit të Hapur”.

Vuçiç për mediat tha se nuk beson se Rama e ka dhënë këtë deklaratë dhe se projekti i “Ballkanit të Hapur” është një ide autonome. Ndër të tjera ai paralajmëroi një takim mes liderëve, ku tha se ta takojë se shpejti Ramën.

“Nuk besoj se Rama e ka thënë këtë. Shpresoj të kem mundësi ta shoh së shpejti. Ballkani i Hapur është një ide autonome dhe autoktone e njerëzve nga Ballkani. Kjo është shprehje e dëshirave dhe marrëdhënieve tona, jo diçka që e bëjmë nën sundimin e dikujt tjetër”, tha Vuçiç, citon Express.

Kujtojmë se ditën e djeshme, Rama nga Ulqini tha se nisma “Ballkani i Hapur” e ka përfunduar misionin për të cilin ka lindur, e që tha se ka qenë për ta shtyrë përpara Procesin e Berlinit.

“Procesi i Berlinit është tani më aksi ynë kryesor. “Ballkani i Hapur” ishte një iniciativë e cila lindi nga nevoja për ta shtyrë përpara Procesin e Berlinit, dhe e ka kryer tani atë mision për të cilin lindi. Ne duhet të futemi me kokë tani në Procesin e Berlinit, sepse e kemi këtë mundësi, e kemi në Tiranë. Kemi mundësinë ta zotërojmë si proces, me mbështetjen e madhe që kemi nga Gjermania, nga Kancelari Scholz por edhe nga gjithë të tjerët”, deklaroi kryeministri.

Copyright © 2024 Miks News. All rights reserved.