Pasi u kërkuan 180 vite burg në total për ish-krerët e UÇK-së, ka reaguar kryeministri Edi Rama, me tone të ashpra ndaj Prokurorisë së Hagës.
Në një reagim në rrjetin social X, kreu i qeverisë shqiptare shkruan se kjo kërkesë nuk ka logjikë dhe se një vendimarrje e tillë do të ishte një varrosje për së gjalli për ish-krerët e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.
“Më pyesin miq nga Prishtina pse nuk po shprehesh për mikun tënd që sot u ngarkua me 45 vjet burg në pretencën e prokurorisë së Hagës?! Nuk po shprehem dot, pasi ende po mundohem ta gjej ku buron filli logjik që ka ndjekur prokuroria për të dalë me kërkesën për varrosje për së gjalli të katër burrave dhe si kurrë ndonjëherë, fjalët nuk më vijnë në ndihmë për t’u shprehur… Ndjesë, më duhet kohë ta gëlltis gjithë atë mal me mut që nxorri sot ajo prokurori në zemër të Europës demokratike!”, tha Rama.
Ndërkohë qeveria shqiptare, nëpërmjet Ministrisë së Punëve të Jashtme, po ndjek me shqetësim ecurinë e procesit të gjykimit të ish-luftëtarëve të UÇK-së.
“Kohëzgjatja e paraburgimit, që tashmë ka kaluar pesë vjet pa një vendim përfundimtar, dhe natyra e akuzave të ngritura, ngrejnë pikëpyetje serioze mbi proporcionalitetin, standardet e procesit të rregullt ligjor dhe respektimin e të drejtave themelore të njeriut. Kjo situatë ushqen gjithnjë e më shumë perceptimin e një ashpërsie të njëanshme në trajtimin e kësaj çështjeje, sidomos kur krahasohet me mënyrën se si janë trajtuar përgjegjësit e aparatit shtypës të regjimit serb.”, shkruan Spiropali.
Teksa prej 5 vitesh ish-krerët e UÇK-së po përballen me gjykimin në Hagë, qeveria shqiptare ka ndërmarrë disa hapa për t’i mbështetur. Një prej tyre është kërkesa zyrtare ndaj Asamblesë Parlamentare të Këshillit të Europës për shpalljen e pabazuar të akuzave mbi trafikimin e paligjshëm të organeve njerëzore gjatë Luftës Çlirimtare të Kosovës. Gjatë këtyre viteve, kryeministri Rama ka zhvilluar edhe disa takime me ish-krerët e UÇK-së.
