Rama: Dikur ishim vendi i pandëshkueshmërisë, sot në Shqipëri askush nuk është mbi ligjin

Kryeministri Edi Rama është pyetur nga gazetarët, në konferencën e përbashkët për mediat në Luksemburg, pas mbylljes së negociatave për Kapitullin e 20-të, “Ndërmarrjet dhe Politikat Industriale”, edhe mbi situatën aktuale në vendin tonë.

I pyetur nga gazetarët mbi projektin “Kushner”, Rama tha se ai është një projekt i madh, që shkon përtej një emri, duke theksuar se ajo që do të shohin në fund do të jetë mbresëlënëse për Shqipërinë.

“Nuk jam i vetëdijshëm, di që çdo kapitull ka rëndësinë e vet. Ka kaq shumë njerëz që njohin çdo kapitull. Kemi një ekip fantastik, ku fjalët e mira nuk janë fort të lehta. Do t’ju ftoja të vizitoni Shqipërinë. Kur e sheh Shqipërinë nga jashtë, mund të habitesh, mund të ngatërrohesh, po ta shohësh Shqipërinë nga mediat online, do të jeni të paqartë.

Nuk e di çfarë nënkuptoni me projektin e Kushnerit, por po them aq sa është përmendur gjerësisht, që është një projekt që përfshin shumë më tepër se një emër, një projekt për të cilin kemi një ambicie të madhe dhe që duam ta realizojmë si një model për mënyrën se si të investojmë dhe si të zhvillohemi në kohët e sotme, në harmoni me natyrën.

Më duhet t’ju them se edhe manifestimet që janë përcjellë e manifestuar në mbarë botën kanë ndihmuar për të përmirësuar dhe për të na bërë të ecim drejt rezultateve bindëse. Është diçka që mbetet për t’u provuar dhe bazuar në fakte. Presim me padurim për të treguar punën që po bëhet.

Nga ana tjetër, ju dhe vendi juaj mund ta kuptoni shumë më mirë se çfarë nënkupton situata kur drejtësia bën punën e vet. Kjo është ajo që kemi nevojë”, tha Rama.

Po ashtu, kryeministri Rama u është përgjigjur edhe pyetjeve që lidhen me sistemin e drejtësisë në vend dhe zhvillimet e fundit.

Kreu i qeverisë theksoi se sot në Shqipëri ka marrë fund ajo që dikur njihej si kultura e pandëshkueshmërisë.

“Fakti që ju e dini, tregon se sistemi ka nisur të funksionojë. Njëherë e një kohë, kur e nisëm këtë rrugëtim, njiheshim si vendi i kulturës së pandëshkueshmërisë. Sot vijmë këtu dhe njihemi si vendi pararojë, ku kultura e pandëshkueshmërisë ka mbaruar dhe askush nuk është mbi ligjin.

Ai që dje ishte një sistem i kontrolluar nga korrupsioni dhe sot është një sistem që lufton korrupsionin, është çështje këndvështrimi. Kështu e marrim ne motivimin dhe energjinë për të ecur përpara”, tha Rama.

Copyright © 2026 Miks News. All rights reserved.