Newsbomb.al prej kohësh po u jep zë shqetësimeve të qytetarëve që janë pjesë e kompanisë celulare “ONE Albania”, e cila muaj më parë vendosi të eksperimentojë me sistemin operativ, duke kthyer në “kavje” mbi 1 milionë abonentë që sot nuk marrin shërbim.
“ONE Albania” ka vendosur muaj më parë të largojë sistemin operativ gjerman që përdorte dhe ka instaluar një sistem indian. Bëhet fjalë për “Bharat Operating System Solutions”, i njohur si “BOSS”, një sistem i dështuar që ka futur në kolaps kompaninë celulare.
Qytetarët enden në dyert e dyqaneve por nuk kanë mundur të marrin zgjidhje për mbifaturimet, kontratat, ofertat roaming dhe shërbimin e internetit në shtëpi. Pavarësisht reklamave për shërbim cilësor, duket se abonentët nuk po gjejnë rehat.
Mësohet se prej javës së kaluar dhe deri këtë javë që ka hyrë muaji i ri, sistemi është mbingarkuar dhe nuk pranon rimbushjet. Kompania celulare shfajësohet se nuk punon sistemi, por ndërpret shërbimin për abonentët. Dhe jo për fajin e tyre, por për shkak të eksperimentit të dështuar me sistemin operativ.
Mes gjithë kësaj rrëmuje të bërë nga një prej kompanive më të mëdha celulare në vend, e cila ka akses në numrat dhe të dhënat e më shumë se 1 milion shqiptarëve, është përfshirë dhe Autoriteti i Komunikimeve Elektronike dhe Postare.
Institucioni i drejtuar nga Tomi Frashëri ka “kyçur gojën” prej muajsh, pavarësisht shqetësimeve pa fund të abonentëve, ekspertëve të komunikimit dhe gazetarëve të njohur, të cilët e kanë ngritur dhe vetë këtë problematikë duke mos ju nënshtruar presionit të ONE Albania.
Në daljet e tyre dhe në reagimet në rrjetet sociale, ata i janë drejtuar AKEP që të ndërhyjë, si publikisht ashtu dhe në rrugë zyrtare duke e vënë në dijeni për problematikat, por deri më sot nuk ka asnjë reagim apo masë ndaj kompanisë celulare.