Mbledhja e parë e qeverisë “Rama 4” solli shkarkimin e Erion Veliajt.Vetëm një ditë pas njoftimit nga Prefekti i Tiranës për vendimin e Këshillit Bashkiak të cilët votuan pro shkarkimit të kryebashkiakut, shefi i ekzekutivit së bashku me kabinetin që ai drejton nuk humbën kohë duke zhvilluar mbledhjen ku u vulos largimi i Veliajt.
Në mbledhjen që zgjati një orë, kreu i qeverisë firmosi dhe dokumentet që do të vënë në punë Presidentin e Republikës për të dekretuar zgjedhjet e pjesshme të cilat pritet të mbahen në fund të vjeshtës.
Me njoftimin nga Këshilli i Ministrave, kreu i shtetit ka një afat prej 48 orësh për të dekretuar zgjedhjet me datën që duhet të caktohet jo më herët se 30 dhe jo më vonë se 45 ditë.
Vendimi për zgjedhje në Tiranë u njoftua që prej datës 11 shtator nga vetë kryeministri Edi Rama gjatë asamblesë së Partisë Socialiste, ku caktoi Ogerta Manastirliun si garuesen për kryeqytetin nga radhët e selisë rozë.
Gjithashtu sipas burimeve, Manastirliu do të mbështetet në garën për bashkinë e Tiranës nga zëvëndëskryeministrja Belinda Balluku, e cila do të jetë dhe drejtuese politike e qarkut, duke u bërë kështu krah i Manastirliut për fushatën e vjeshtës.
Hapa të cilat Partia Socialiste tashmë i ka nisur, me Edi Ramën që mblodhi deputetët e Tiranës dhe ministrat në selinë rozë pasditen e së mërkurës ku vendosi edhe piketat që duhen për zgjedhjet e pjesshme.
Përpos Tiranës, qytetarët e Vlorës, Beratit, Tepelenës, Matit dhe Cërrikut pritet që t’i drejtohen gjithashtu kutive të votimit, pasi edhe këto bashki do të futen në zgjedhje të pjesshme.
