Putin mund të fikë internetin kudo në Rusi, nënshkruhet ligji i ri

Presidenti Vladimir Putin ka nënshkruar një ligj që i jep shërbimeve të sigurisë pushtetin për të ndërprerë internetin në të gjithë Rusinë dhe në territoret e pushtuara të Ukrainës. Sipas këtij ligji, ofruesit e internetit do të jenë të detyruar të ndalojnë aksesin në internet me urdhër të Shërbimit Federal të Sigurisë (FSB) dhe nuk do të mbajnë përgjegjësi ligjore për këtë veprim.

Ky ligj, shkruan The Telegraphi lejon Putinit të vendosë kur komunikimet online në të gjithë vendin, ose vetëm në një rajon të caktuar, të ndërpriten pa pasur nevojë të japë ndonjë shpjegim.

Projektligji u prezantua në fund të vitit të kaluar, me arsyetimin se do të ndihmonte mbrojtjen e qytetarëve dhe shtetit nga kërcënimet e sigurisë, dhe njëkohësisht do të mbronte kompanitë nga ndëshkimet ligjore. Ekspertët ligjorë thonë se formulimi i ligjit është i paqartë, duke e bërë të vështirë të kuptohet se sa të gjera janë kompetencat e reja. Alexander Karavaev, avokat për të drejtat e njeriut, tha se “nëse e lexon ligjin fjalë për fjalë, aty përfshihen edhe dërgesat postare”.

Zv/ministri i zhvillimit dixhital, Ivan Lebedev, tha se qëllimi i ligjit është të mbetet i paqartë se cilat shërbime mund të ndërpriten, për të hutuar “armikun e Rusisë”.

Kjo masë është pjesë e përpjekjeve të Kremlinit për të krijuar një “internet sovran”, një hapësirë online që nuk varet nga ndikimi perëndimor.

Ndërprerjet e internetit mobil janë bërë normale në të gjithë Rusinë dhe në territoret e pushtuara të Ukrainës. Autoritetet thonë se ato janë të nevojshme për të parandaluar sulmet e dronëve ukrainas, të cilët mund të përdorin sinjalet ruse për navigim. Megjithatë, ekspertët besojnë se qëllimi kryesor është rritja e kontrollit shtetëror mbi internetin për qytetarët. Gjatë ndërprerjeve, janë të aksesueshme vetëm faqet dhe shërbimet e miratuara nga qeveria.

Në vitin 2025, Rusia u bë vendi me më shumë ndërprerje të internetit në botë, me mbi 37 mijë orë ndërprerjeje që prekën 146 milionë njerëz. Këto ndërprerje besohet se i kanë kushtuar vendit rreth 9.5 miliardë paund në prodhim ekonomik.

Së fundmi, Kremlini ka miratuar ligje që ndëshkojnë kërkimet online për përmbajtje që i konsideron “ekstremiste”. Po këtë muaj, Kremlini ndaloi WhatsApp-in dhe ndërpreu aksesin në Telegram, duke u përpjekur të detyrojë përdoruesit të kalojnë në aplikacionin shtetëror Max, të modeluar sipas WeChat të Kinës.

Autoritetet janë kritikuar nga ushtarë, gazetarë lufte dhe politikanë për përpjekjet për të frenuar Telegram-in, i cili përdoret shpesh për operacione në fushëbetejë. 

Dmitry Peskov, zëdhënës i Putinit, pranoi se edhe vetë Kremlini përdor rrjete private virtuale (VPN) për të ruajtur kanalin e tij në Telegram, pavarësisht ligjeve që synojnë ndalimin e përdorimit të VPN-ve.

Copyright © 2026 Miks News. All rights reserved.