Pse u rrit çmimi i biletës dhe abonesë për dy linja publike?

Nga 1 Nëntori hyri në fuqi vendimi i Këshillit Bashkiak të Bashkisë Kamëz, që parashikon rritjen e çmimit të biletës me 10 lekë dhe rritjen e çmimit të abonesë me 200 lekë.

Bëhet fjalë për dy linja transportit publik, Tiranë-Kamës dhe Tiranë-Paskuqan. Por pse ishte e nevojshme një rritje e çmimit?

Dashnor Memaj kryetar i shoqatës së transportit ndërqytetës, duke folur në emisionin E-ZONE dha arsyet pse ky vendim u kërkua prej operatorëve.

“Rritja e fundit e çmimit të biletës u bë në vitin 2016, pra 10 vite më parë, ku çmimi u rrit në 40 lekë. Në këto 10 vite paga minimale nga 20 mijë lekë ka arritur në 40 mijë lekë, me njoftimin se do të shkojë në 50 mijë në janar të këtij viti. Ky është një element që ne si operator na rrit kostot për sigurime për punonjësit. Paralelisht dhe pagat janë rritur në tërësi. Gjatë këtyre viteve edhe çmimi i karburantit nuk është më i njëjti, pasi është shtrenjtuar. Janë të gjitha këto kosto të cilat rëndonin aktivitetin e linjave të transportit. Ndaj duhej një ndërhyrje ose subvencionim, që për bashkinë Kamzës dukej e pamundur ose rritje e çmimeve. Këshilli vendosi rritjen e çmimeve”, tha Memaj.

Por sipas Memajt çmimi i abonesë së përgjithshme nuk ka ndryshuar. Ndërsa nuk ka parashikim për një rishikim të çmimit të biletës për bashkinë Tiranë. Sipas operatorëve të fushës, në këtë bashki po funksionon skema e subvencionimeve.

Por teksa qeveria ka miratuar me vendim për krijimin e një operatori publik të transportit, operatorët në këtë fushë thonë se kjo ishte e panevojshme.

“Ne shohim që shteti nëpërmjet një kompanie publike do të jetë një operator më shumë në treg. Eksperienca ka treguar se shërbimet publike i menaxhon më mirë privati. Ndaj e shohim si të panevojshme një ndërhyrje të shtetit në tregun privat”, tha Memaj në E-ZONE.

Sipas të dhënave gjatë një dite në Tiranës përdorin transportin publik rreth 25 mijë qytetarë. Operatorët kanë vendosur një pajisje në çdo autobus për të patur një shifër reale të frekuentimit të urbanit, për të parë më pas analizën e kostove/përfitime.

Copyright © 2026 Miks News. All rights reserved.