Protestë në mbrojtje të ujit, banorët e gjashtë fshatrave në Elbasan thonë se po u marrin burimin

Banorët e gjashtë fshatrave në Njësinë Administrative Tregan, në Bashkinë e Elbasanit, u ngritën këtë të premte në protestë për të mbrojtur burimin ujor në fshatin Muçan, nga i cili furnizohen me ujë të pijshëm.

Gjatë protestës së zhvilluar pranë njësisë administrative, ata deklaruan se në këtë burim po kryhen punime nga persona që, sipas tyre, kanë pushtet dhe zotërojnë biznese. Banorët pretendojnë se shtrirja e tubacioneve rrezikon furnizimin me ujë të pijshëm për familjet, veçanërisht gjatë stinës së verës.

Sipas protestuesve, uji është jetik dhe, për sa kohë ata paguajnë rregullisht faturat, askush nuk ka të drejtë t’ua marrë atë.

Për ndërhyrjet në burim, banorët bëjnë përgjegjës kryeplakun e fshatit dhe përfaqësuesit e njësisë administrative, duke i akuzuar për mosmarrje të masave parandaluese. Për këtë arsye, ata iu drejtuan institucioneve me një peticion.

Nga ana tjetër, përfaqësues të njësisë administrative, pavarësisht pretendimeve të banorëve, theksuan se janë në krah të tyre dhe se ndërhyrjet në burimin ujor i konsiderojnë të paligjshme.

Aktualisht, punimet për marrjen e ujit në fshatin Muçan janë pezulluar, ndërsa banorët shprehen të vendosur për ta mbrojtur burimin e ujit me çdo mënyrë.

Copyright © 2026 Miks News. All rights reserved.