Prostitucion “në zemër” të Tiranës, ky është Hoteli që përdorej nga rrjeti ndërkombëtar, vetëm pak metra nga Gjykata e Lartë

Miks Albania

Policia e Shtetit, në bashkëpunim me partnerët ndërkombëtarë, ka zbuluar një rrjet të strukturuar kriminal që trafikonte vajza nga vendet e Amerikës Latine dhe Azisë Qendrore, me qëllim shfrytëzimin e tyre për prostitucion në Shqipëri.

Në kuadër të operacionit të koduar “Rrjeti”, janë ekzekutuar 7 masa sigurie “arrest me burg” në Shqipëri dhe është arrestuar organizatori kryesor në Kolumbi. Qendra e aktivitetit kriminal ishte një hotel në zemër të Tiranës, vetëm pak metra larg Gjykatës së Lartë. Hoteli “Alindro”, i ndodhur në rrugën “Reshit Collaku”, ishte përshtatur posaçërisht për akomodimin dhe shfrytëzimin për prostitucion të vajzave të trafikuara. Policia ka zbuluar se hoteli menaxhohej nga pjesëtarë të rrjetit kriminal, që kishin detyra të ndara në këtë veprimtari.

Sipas hetimeve, organizatori kolumbian Lukas Betancur, që u arrestua në Kolumbi, rekrutonte vajza në vendet e tyre të origjinës dhe, përmes rrjetit të bashkëpunëtorëve në Shqipëri, organizonte transportin dhe akomodimin e tyre në hotelin “Alindro”. Aty, vajzat detyroheshin të ushtronin prostitucion, shpesh nën kërcënime ndaj vetes apo familjeve të tyre.

Dritan Suka ishte përgjegjës për menaxhimin e rrjetit në Shqipëri, ndërsa Ilmar Gugashi kishte përshtatur hotelin si bazë të aktivitetit. Assel Adrysheva dhe Kejvin Ndreu shfrytëzonin disa vajza nga Kazakistani, ndërsa Denis Berisha siguronte klientë dhe shpërndante lëndë narkotike për përdorim nga viktimat.

Gjatë operacionit janë sekuestruar shuma parash, shtatë celularë dhe prova të tjera materiale, ndërsa hetimet vijojnë për të zbardhur në tërësi aktivitetin ndërkombëtar të këtij grupi.

Copyright © 2026 Miks News. All rights reserved.