Presidenti Bajram Begaj ka uruar sot përmes një postimi në rrjetet sociale, presidentin Zelensky për Ditën e Pavarësisë së Ukrainës.
Presidenti Begaj ka shpreh kënaqësinë për marrëdhëniet miqësore midis dy vendeve të cilat këtë vit kremtojnë 30-vjetorin e tyre. Gjithashtu ai shprehet se vlerëson lidhjen e sinqertë midis dy popujve tanë, falë edhe diasporës së hershme shqiptare në Ukrainë.
“I nderuar Zoti President!
Kremtimi i Ditës së Pavarësisë së Ukrainës më jep mundësinë dhe kënaqësinë që edhe në emër të popullit shqiptar t’ju përcjell Juve dhe popullit mik të Ukrainës urimet më të mira e të përzemërta.
Më lejoni që me këtë rast të shpreh kënaqësinë për marrëdhëniet miqësore midis dy vendeve tona, të cilat këtë vit kremtojnë 30-vjetorin e tyre, por edhe të vlerësoj lidhjen e sinqertë midis dy popujve tanë, falë edhe diasporës së hershme shqiptare në Ukrainë. Në këtë 30-vjetor, si shenjë e dëshirës dhe e vullnetit tonë për të qenë sa më pranë Ukrainës dhe për të intensifikuar më tej bashkëpunimin, Shqipëria ka vendosur ta ngrejë nivelin e pranisë së saj diplomatike në Kiev.
Përfitoj nga rasti të ritheksoj qëndrimin e qartë dhe të palëkundur të Shqipërisë në mbrojtje të integritetit territorial, sovranitetit dhe të pavarësisë së Ukrainës. Ju siguroj se Shqipëria do të vazhdojë të kontribuojë në Këshillin e Sigurimit dhe në Asamblenë e Përgjithshme të Kombeve të Bashkuara, por edhe me mbështetje diplomatike e ushtarake, pasi ndajmë vlera dhe interesa të përbashkëta euroatlantike.
Me urimet më të mira në këtë ditë të shënuar për vendin Tuaj, Ju lutem pranoni Zoti President, shprehjen e respektit dhe të konsideratës sime më të lartë”, ka shkruar Begaj.