Policia e Durrësit zbardhi një ngjarje të rëndë kriminale ku thotë se një 35-vjeçar vrau shokun dhe më pas fshehu krimin.
Majlind Habibi u vu në pranga pas hetimeve që zgjatën disa ditë. Policia e qytetit bregdetar thotë se mori kallëzim në datën 4 Dhjetor nga një banues në lagjen numër 15 në Durrës se djali i tij Branko Shkoza ishte larguar prej dy ditësh (2 Dhjetor) nga shtëpia dhe kishte humbur kontrollet me të.
Pas kërkimeve, policia mundi të gjejë trupin e pajetë të djalit 33-vjeçar në një kanal të ujërave të zeza. Nga këqyrja e trupit të viktimës nuk u konstatuan shenja dhune.
Për këtë arsye, efektivët e Durrësit më 6 Dhjetor sollën një njoftim për shtyp, ku flitej për një ngjarje aksidentale.
Por këqyrja e vendit të ngjarjes nuk ka bindur hetuesit që kanë krijuar dyshime se ngjarja nuk ishte në fakt tillë.
Nga verifikimet e tyre, u dokumentua me prova shkencore se 35-vjeçari Majlind Habibi, pas një konflikti për motive të dobëta, shtyu dhe hodhi nga një urë në kanalin e ujërave të zeza 33-vjeçarin Shkoza. Për pasojë ky i fundit humbi jetën.
“Sektori për Hetimin e Krimeve të Rënda në bashkëpunim me Prokurorinë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Durrës, pas një pune intensive hetimore të bëra në lidhje me denoncimin bërë nga një shtetas se nga u bë i mundur identifikimi dhe kapja e autorit të vrasjes së shtetasit Branko Shkoza, 33 vjeç”, njoftoi policia.