Policia e Shtetit feston 113-vjetorin, Proda: Uniformat blu janë përbaltur pa të drejtë

Përvjetori i 113-të i themelimit të Policisë së Shtetit bashkoi krerët e uniformave blu, të institucioneve të drejtësisë si dhe agjencitë e tjera ligjzbatuese. Krah drejtorit të Policisë Ilir Proda ishte edhe kreu i ri i SPAK Klodian Braho.

Pas nisjes së ceremonisë, Proda vlerësoi punën që është bërë nga policia ne goditjen e krimit në kuadër të rendit dhe të sigurisë. Në fjalën e tij ai përcolli mesazhe për rolin që mban policia në vetvete.

“Ne jemi ajo që bëjmë dhe jo ajo që flitet për ne, nëpërmjet sulmeve dhe përbaltjes së padrejtë ndaj kontributit të mijëra burrave dhe grave, djemve dhe vajzave që sakrifikojnë çdo ditë për të mirën e përgjithshme”, tha Proda.

Proda vlerësoi edhe 231 policë të rënë dëshmorë në krye të detyrës.

Ndërkohë dhe zv/ministër i Brendshëm Xhemal Qefalia foli për mbështetjen që qeveria synon t’i japë uniformave blu.

“Pas çdo polici ka një nënë që lutet dhe një fëmijë që pret. Prandaj mbështetja e qeverisë shqiptare për policinë e Shtetit do të vazhdojë në mënyrë të pandalshme”, tha Qefalia.

Në fund të ceremonisë u shpërndanë 4 medalje dhe 67 certifikata mirënjohjeje për efektivë policie si dhe për sektorë të ndryshëm që patën më shumë rezultate gjatë vitit të kaluar.

Copyright © 2026 Miks News. All rights reserved.