Kreu i policisë së Tiranës, Tonin Vocaj në një prononcim për gazetarët dha detaje për autorin e dyshuar të plagosjes së efektivit Edlir Alleshi, pasditen e sotme në Tiranë.
Vocaj tha se Klered Bozhanaj, 42-vjeç është i armatosur dhe ka shenja të theksuara depresioni. Po ashtu policia vuri në dispozicion 20 mijë euro për këdo që do të ndihmojë në kapjen e tij.
“Në orën 18:55 në rrugën Hysen Xhura një patrullë e shërbimit Shqiponja duke patrulluar në sektorin e saj ka konstatuar një qytetar që sapo ka parë policinë është larguar në mënyrë të dyshimtë. Ata e kanë ndjekur dhe ai ka hyrë në një hyrje pallati që përkon pak a shumë me shkallën e shtëpisë së tij. Për pasojë efektivi është plagosur, ai ka një dëmtim me armë zjarri. Është jashtë rreziku për jetën. Shërbimet e policisë, RENEA dhe gjithë forcat e policisë të gjithë republikës janë mobiliuar për kapjen e autorit, Klered Bozhanaj, 42 vjeç. Theksojmë se është i armatosur dhe ka shenja të theksuara të depresionit. Policia ve në dispozicion 20 mijë euro për çdo informacion të vlefshëm që mund të çojë në kapjen e autorit”, tha kreu i policisë.
Vocaj po ashtu shtoi se Boxhanaj rezulton të jetë kthyer nga Italia në vendin tonë në muajin Gusht.