Plagosi Lorenc Kostën, gjykata lë në burg efektivin Erjon Goxhara

Plagosi

Në Gjykatën e Tiranës u zhvillua sot seanca për masën e sigurisë të efektivit Erjon Goxhara, i cili plagosi inxhinierin e ERE-së, Lorenc Kosta pasi bashkëshortja e tij kishte një lidhje intime me të. Në fund, togat e zeza lanë në arrest me burg efektivin Goxhara.

Ky i fundit ka shprehur pendesë për veprimin që ka kryer në dëm të shtetasi Lorenc Kosta. Goxhara ka mbajtur të njëjtin qëndrim gjatë gjyqit si para Oficerëve të Policisë Gjyqësore. 

Mësohet se avokatët kërkuan masë më të butë sigurie se arresti në burg me argumentin e tronditjes së rëndë psiqike. 

Deri në këto momente, Goxhara po hetohet për vrasje me paramendim e mbetur në tentativë dhe armëmbajtje pa leje. Për këtë të dytën akuza do të qëndrojë deri në momentin që do të provohet nëse arma e përdorur është e shërbimit ose jo. 

Gjykata pranoi nga ana tjetër kërkesën e avokatëve për ekspertizë të gjendjes psiqike.

Polici Erjon Goxhara akuzohet për vrasje me paramendim e mbetur në tentativë. Ngjarja u regjistrua më 19 Gusht tek “Komuna e Parisit”, kur efektivi e qëlloi disa herë me armën e shërbimit inxhinierin e ERE-s duke e plagosur rëndë.

Copyright © 2024 Miks News. All rights reserved.