Pesticide mbi normë në tregun shqiptar, AKU bllokon pjeshkat dhe rrushin nga Greqia

Autoriteti Kombëtar i Ushqimit ka konstatuar praninë e mbetjeve të pesticideve mbi normat e lejuara në dy produkte të importuara nga Greqia: pjeshkë dhe rrush të kuq francez, duke ngritur shqetësime serioze për sigurinë ushqimore.

Gjatë kontrolleve zyrtare, pjeshkat rezultuan me mbetje të larta të pesticidit Phosmet, një substancë e ndaluar mbi nivelet e lejuara nga legjislacioni evropian. Si pasojë, AKU ka urdhëruar operatorin e biznesit ushqimor të njoftojë të gjitha subjektet ku është shpërndarë produkti, si dhe të organizojë tërheqjen e tij nga tregu nëse është ende i disponueshëm. Në një rast tjetër, rreth 800 kg rrush i kuq francez, gjithashtu i importuar nga Greqia, u kap nga inspektorët e AKU-së në një supermarket në qytetin e Lezhës. Analizat laboratorike zbuluan praninë e pesticidit Propamocarb në nivele të papranueshme për konsum njerëzor.

AKU ka ndërhyrë menjëherë duke bllokuar sasinë e mbetur në treg dhe ka nisur procedurat për asgjësimin e plotë të produktit të ndotur. Të dy rastet janë klasifikuar me risk për shëndetin e njeriut dhe janë raportuar zyrtarisht në Sistemin Evropian të Alarmit të Shpejtë për Ushqimin dhe Ushqimin për Kafshët (RASFF).

Copyright © 2026 Miks News. All rights reserved.