Ditën e sotme përcillet për në banesën e fundit efektivi i “Shqiponjave” Novruz Cenalia, i cili u vra dy ditë më parë në fshatin Baltëz të Fierit.
Në hollin e teatrit “Bylis” është vendosur arkmorti me trupin e pajetë të efektivit, ku do të kryhen homazhe nga familjarë, kolegë, qytetarë dhe zyrtarë të ndryshëm, për t’i dhënë lamtumirën e fundit.
28-vjeçari Cenalia mbeti i vrarë dy ditë më parë pas një konflikti me Azgan Mernicën. Ky i fundit qëlloi me armë efektivin pas sherrit për kalimin e rrugës.
Dy ditë pas ngjarjes 23-vjeçari është ende në arrati, teksa dyshohet se është fshehur në zonën e Apolonisë dhe Havaleasit.
Kërkimet kanë vijuar nga policia dhe forcat RENEA në zonë dhe me dronë nga ajri.
Në momentin e ngjarjes në makinë me Mernicën ishte edhe nëna e tij. Kjo e fundit ka treguar se i biri pas ngjarjes është larguar me vrap, por nuk e di se ku ai ndodhet.