Pedagogët tërhiqen nga bojkoti, rikthehen ditën e nesërme në auditore

Sindikata e punonjësve të Universiteteve të Shqipërisë në një deklaratë për mediat ka njoftuar pezullimin e bojkotit duke u futur në mësim, por do të vijojnë me protestat.

Ata kanë vendosur që të mos pengojnë më zhvillimin e procesit mësimor në Fakultete, mirëpo duke theksuar se protestat do të vijojnë deri në plotësimin e kërkesave të tyre.

Kanë bërë me dije se protesta e radhës Kombëtare do të zhvillohet ditën e martë në orën 11:00 përpara Korpsuit Qendror të UPT.

Deklarata e plotë:

Të nderuar kolegë!

Siç jeni në dijeni, SPUSH i është drejtuar në datën 03.11.2022 Presidentit të Republikës, duke kërkuar garanci kushtetuese për paprekshmërinë e integritetit të pedagogëve vullnetarë, që do të hynin në grevën e urisë, grevë e cila nuk u frymëzua aspak nga dëshpërimi apo mungesa e shpresës së intelektualëve për plotësimin e kërkesave legjitime të tyre në ambientet universitare, por u stimulua nga domosdoshmëria imediate e plotësimit të tyre.

Përshkallëzimi i hapave të ndjekur nga punonjësit akademikë, ndihmës-akademikë dhe administrativë, erdhi si rrjedhojë e indiferentizmit dhe arrogancës së autoriteteve, që janë përgjegjëse, për situatën aktuale. E kemi fjalën si për Qeverinë dhe Ministrinë përkatëse, ashtu dhe për institucionet e arsimit të lartë publik. Duam të theksojmë edhe një herë se lëvizja intelektuale e punonjësve të IAL-ve publike, e mbështetur nga SPUSH, është lëvizje, që synon t’i shndërrojë universitetet publike në vendin e dijes dhe zhvillimit tërësor të studentit.

Shumë është folur, por pak është bërë për universitetin, i cili duke vepruar si një komunitet studiuesish në shërbim të interesit publik, do duhej të ishte prioriteti i çdo qeverie.

Qeveritë në vijimësi nuk po mundësojnë ta sjellin tempullin e dijes në nivelin që meriton. Sot ky tempull, shfaqet me reputacion të lëkundur. Lëvizjet sindikaliste, në fokus të tyre kanë të drejtat e punonjësve dhe në këtë rast, nuk mund të bënte përjashtim as organizimi sindikalist i punonjësve akademikë dhe ndihmës akademikë të arsimit të lartë në vendin tonë. Duke e parë me sy kritik dhe shqetësim atë që po ndodh brenda mjediseve akademike, bashkarisht konsideruam se mbështetja financiare e cunguar, është me ndikim, në cilësinë e shërbimit ndaj studentit, ndaj iu drejtuam Qeverisë, sepse pavarësisht autonomisë, ajo ka detyrimin për ta mbështetur dhe mundësuar cilësinë, që certifikon ky institucion.

Për habinë e gjithkujt, Qeveria heshti?!

Heshtja institucionale provokoi protestat dhe bojkotin e procesit mësimor, çka ndikoi në sjelljen e saj në një përshkallëzim të formës së saj, me Ngujimin në Grevë Urie. Mosbesimi ndaj institucioneve për shkak të intimidimit nga brenda dhe jashtëinstitucioneve të arsimit te lartë, në vijimësi, mbolli pasiguri qytetare dhe akademike, në realizimin e këtij akti sublim!

Ndodhur përballë kësaj situate kritike, Sindikata e Punonjësve të Universiteteve të Shqipërisë, e interesuar për normalizimin dhe zhvillimin e suksesshëm të jetës akademike vendosi:

Pezullimin e bojkotit dhe rinisjen e procesit mësimor, për të përmbushur detyrimin tonë akademik, atë të përçimit të dijes tek studentët; Vazhdimin e protestës me të gjitha format demokratike dhe institucionale, përfshirë protestat kombëtare universitare periodike, deri në vlerësimin dhe zgjidhjen e kërkesave të parashtruara;

Të gjitha llojet e protestave, përfshirë grevat e çdo lloji, vazhdojnë të qëndrojnë

si mundësi finale për realizimin e të gjitha kërkesave të Peticionit dhe më gjerë! Të zhvillojë Protestën Kombëtare Universitare të radhës, ditën e Martë, datë 8 Nëntor 2022, ora 11.00, përpara Korpusit Qëndror të UPT.

Gadishmëria e Organeve Drejtuese të Universiteteve për të kontribuar pjesërisht në përmbushjen e kërkesave të paraqitura: – ‘me rritje modeste të fondit të pagave’, dhe kjo, vetëm për stafin akademik, duke mos mbajtur një qëndrim të qartë në lidhje me rritjen e pagave për stafin ndihmës-akademik dhe administrativ, na prezanton një tjetër problematikë në Institucionet e Arsimit të Lartë: – Nevojën për transparencë mbi veprimtarinë tërësore financiare të tyre.

Besojmë në mbështetjen e çdo anëtari të stafit akademik, për të realizuar procesin e vlerësimit të pastërtisë dhe integritetit profesional të titullarëve të universiteteve dhe të personelit universitar në tërësi, si mundësia e vetme për të demonstruar akademizëm dhe seriozitet prej gjithkujt, që merret me ofrimin e shërbimit më fisnik të një kombi, sikundër është edukimi. Kapitali më i çmuar i një vendi është kapitali njerëzor. Të gjithë bashkë për “Arsimin e Lartë Publik, Prioritet Kombëtar”

Misioni ynë akademik vazhdon!

Copyright © 2024 Miks News. All rights reserved.