Pas vilës së ish-gruas në Palasë, SPAK sekuestron edhe vilën e partneres së Arben Ahmetajt në Hamallaj

Pas sekuestrimit të një vile në Palasë, në pronësi të ish-bashkëshortes, me urdhër të SPAK, sot u mor e njëjta masë edhe ndaj një vile të partneres së ish-ministrit Arben Ahmetaj në Hamallaj.

Prokuroria e Posaçme në kuadër të hetimeve që po kryen për ish-zëvendëskryeministrin Arben Ahmetajn, vendosi nën sekuestro dy vilat, që ndodhen në komplekset rezidenciale në Palasë të Himarës dhe Hamallaj të Durrësit.

Vila në bregdetin e Palasës thuhet se rezulton në pronësi të ish-gruas së Ahmetajt, Albina Maçka, por e regjistruar në emër të një zonje tjetër që jeton në Zvicër.

Sipas SPAK është një pronë, e cila vërtetohet përmes dokumenteve të tjera se i përket ish-bashkëshortes së Ahmetajt dhe për sa kohë nuk i disponon të ardhurat për blerjen e kësaj prone duhet të sekuestrohet. Po ashtu sot është sekuestruar edhe vila në Hamallaj që i përket bashkëjetueses së tij, Erjola Hoxha.

SPAK po heton prej vitit 2019 rolin e ish-zv.kryeministrit për aferën e inceneratorëve.

Më 9 mars, Byroja Kombëtare e Hetimit kreu kontrolle në shtëpinë e ish-gruas dhe partneres aktuale të Ahmetajt.

Ish-zv.kryeministri, aktualisht deputet i PS-së, e ankimoi pak ditë më parë vendimin për kontrollin e banesave të ish-gruas dhe partneres së tij dhe kërkoi nga Apeli i GJKKO shpalljen të pakushtetueshëm dhe të paligjshëm të vendimit të Gjykatës së Posaçme të Shkallës së Parë.

Copyright © 2024 Miks News. All rights reserved.