Parregullsi në bilancet financiare, UEFA përjashton Juventusin nga Europa

UEFA ka vendosur te përjashtojë Juventusin për një vit nga Kupat e Evropës për shkak te parregullsive me bilancet financiare. Dhoma e kontrollit të Fair Play Financiar e ka gjykuar fajtore klubin italian ashtu si edhe gjykata e CONI-t dhe për rrjedhoje sezonin që nis Juventusi nuk do të marrë pjesë në Conference League pavarësisht se e mbylli ne vendin e 7 në kampionat

Përveç lënies jashtë Conference League, “bardhezinjtë” kanë për të paguar një gjobë prej 20 milionë eurosh, gjobë që trondit jo pak bilancet e klubit, duke llogaritur këtu dhe faktin, që jemi në mesin e merkatos së verës.

UEFA kishte hapur hetim prej 7 muajsh, duke shqyrtuar edhe ajo dokumentacionin për klubin italian i cili po gjykohej në Itali për shkeljet me bilancet financiare, si për praktikën e plusvalencave, ashtu edhe për atë të mosdeklarimit të pagave që janë dhënë në të zezë.

Komisioni disiplinor i UEFA-s, ka vendosur që Juventusi nuk duhet të luajë një sezon në Europs, si dhe të paguajë një gjobë që do të shlyhet pjesërisht tani dhe pjesërisht më vonë. Në vend të bardhezinjve, në këtë kompeticion do të marrë pjesë Fiorentina, e cila ishte renditur një vend më poshtë në Serinë A.

Për Juventusin, lajmi në fakt nuk ka ardhur surprizë dhe shumëkush e cilëson një “nder” nga ana e UEFA-s, pasi ky ndëshkim e shpëton nga pjesëmarrja në turneun me më pak rëndësi në Europë. Njëkohësisht, në rast se dënimi do të shtyhej pasi Juventusi të merrte pjesë në këtë edicion në Ligën e Konferencës, klubi bardhezi rrezikonte të penalizohej në edicionin pasardhës, atë që shpreson ta nisë në Ligën e Kampioneve.

Copyright © 2024 Miks News. All rights reserved.