Parlamenti grek miraton ligjin për martesat brenda të njëjtës gjini

Parlamenti Grek

Parlamenti i Greqisë ka miratuar mbrëmë ligjin që lejon martesat brenda të njëjtës gjini. Ky ligj kaloi me 176 vota pro, 76 kundër dhe 46 abstenime.

Me miratimin e këtij ligji, Greqia është bërë vendi i parë me shumicë ortodokse që legalizon martesat e të njëjtit seks.

Ky ligj, aq shumë i diskutuar në Greqi, shkaktoi përçarje votash si nga mazhoranca ashtu dhe nga opozita.

Tashmë me këtë ligj, çiftet e të njëjtit seks do të lejohen që të birësojnë fëmijë.

Kryeministri Mitsotakis tha se ligji i ri do t’i japë fund një pabarazie serioze, por Kisha Ortodokse Greke e ka kundërshtuar fort këtë ligj. Në Athinë pati edhe një tubim kundër legalizimit të martesave brenda të njëjtës gjini.

Mitsotakis kërkoi edhe mbështetjen e partive opozitare për të votuar këtë ligj, që në fakt kërkonte shumicë të thjeshtë, por ndërkohë shumë deputetë të mazhorancës së qendrës së djathtë e kundërshtuar projektligjin.

Votimi është mirëpritur nga organizatat LGBTQ në Greqi.

Martesat brenda të njëjtës gjini janë të legalizuara në 15 nga 27 vende të BE-së. Greqia kishte mbetur prapa në këtë aspekt për shkak të kundërshtimit nga kisha, por është vendi i parë në Europën juglindore që legalizon martesat e të njëjtit seks.

Copyright © 2024 Miks News. All rights reserved.