Paralajmërimi i Veliajt, tërhiqet Unioni i Transportit! Të gjithë autobusët në punë

Paralajmërimi i Kryetarit të Bashkisë së Tiranës, Erion Veliajt ndaj Unionit të Transportit Publik se do të përballen me heqje të licencës nëse reduktojë shërbimin e ofruar ka sjellë efekt.

Të gjithë linjat e autobusëve urban në kryeqytet janë në funksion të plotë dhe numri i autobusëve nuk është ulur.  Nga verifikimet në terren rezulton se oraret dhe numri i autobusëve që operojnë për shërbimin e transportit në Tiranë ka qenë sikurse ditët e tjera duke mos pasur vonesa për qytetarët.

Më herët, Veliaj e cilësoi ultimatumin e Shoqatës së Transportit Publik një pabesi ndaj qytetarëve të Tiranës, sidomos në një periudhë me temperatura mjaft të larta. Ai deklaroi se qëndrimi ndaj cilësdo linjë që do të vendosë të ulë shërbimin do të jetë i ashpër, deri në heqjen e licencës.

“Premtimi im është: Kush nuk del sot në punë do të humbasë automatikisht licencën. Më rezulton se deri në këtë orë kanë dalë të gjithë në punë, por ftesa ime është që, në 2023-shin, kjo nuk është mënyra për të ecur përpara. Nuk ecet përpara me ultimatume” u shpreh Veliaj.

Kreu i Bashkisë tha gjithashtu se së shpejti do të vihet në funksion linja publike e transportit kryeqytetas.

Copyright © 2024 Miks News. All rights reserved.