Armëpushimi mes Izraelit dhe Hamasit po vijon në ditën e tretë përpara shkëmbimit të pengjeve me të burgosurit dhe një dite historike për lindjen e mesme.
Palestinezët po vijojnë udhëtimin në kolona të mëdha drejt veriut të qytetit të Gazës me shpresën se luftimet nuk do të rinisin.
Dhjetëra kamionë me ndihma janë parë të futen në territorin e Gazës dhe më shumë të tjerë priten në orët në vijim.
Hamasi ka konfirmuar se lirimi i pengjeve do të bëhet të hënën ndërsa nga Izraeli ka deklaruar se shkëmbimi mund të nisë edhe më herët.
Sipas zyrtarëve në SHBA, afërsisht 200 trupa amerikane do të dërgohen për të ndihmuar në mbështetjen dhe monitorimin e marrëveshjes së armëpushimit.
Vetë presidenti amerikan Donald Trump pritet të mbërrijë në Izrael të hënën për t’iu drejtuar me një fjalim parlamentit, përpara se të udhëtojë për në Sharm El Sheikh të Egjiptit në samitin e liderëve botërorë mbi përfundimin e luftës në Gaza.
Trump së bashku me liderin egjiptian Al Sisi do të bashkëdrejtonë takimin ku do të marin pjesë dhjetëra krerë shtetesh, përfshirë nga Britania e Madhe, Franca Italia dhe të tjerë.
Nuk dihet nëse do të marrë pjesë edhe kryeministri izraelit Netanjahu ndërsa nga Hamasi kanë thënë se nuk do të jenë të pranishëm.
Shtetet e Bashkuara, së bashku me Egjiptin, Katarin dhe Turqinë, ndërmjetësuan atë që është përshkruar si një marrëveshje e fazës së parë midis Izraelit dhe Hamasit me qëllim arritjen e një paqeje afatgjatë dhe të qëndrueshme.
