Nuk duhet të konsumojmë më vezë për mëngjes? Mjekët sugjerojnë t’i zëvendësojmë me këtë ushqim

Kur bëhet fjalë për vezët, shkencëtarët nuk bien dakord: Disa e “fajësojnë” këtë ushqim për rritjen e kolesterolit dhe rrezikimin e shëndetit kardiovaskular, ndërsa të tjerë pretendojnë se këto janë mite dhe se veza është në fakt një zgjedhje shumë e mirë dhe e shëndetshme, sidomos për vaktin e mëngjesit.

Megjithatë, një grup studiuesish tani pretendojnë se kanë gjetur një alternativë më të mirë dhe më të shëndetshme se veza për vaktin e parë të ditës. Kështu ata sugjerojnë të zëvendësoni vezën tuaj të mëngjesit me një grusht arra , pasi, sipas tyre, një sasi prej vetëm 25-28 gramë arra mund të zvogëlojë rrezikun e sulmit në zemër, goditjes në tru dhe vdekjes nga këto shkaqe me 17%.

Pavarësisht nëse pretendimet se vezët janë të dëmshme për të rritur kolesterolin dhe rrezikun kardiovaskular janë të vërteta, ka shumë prova shkencore që mbështesin se arrat ulin nivelet e kolesterolit, duke i bërë ato një alternativë të mirë dhe të sigurt për mëngjes.

Studiuesit arritën në këtë përfundim si pjesë e një rishikimi të madh shkencor që studioi se si ushqimet me bazë bimore mund të ndihmojnë në uljen e rrezikut të sëmundjeve kardiovaskulare, diabetit të tipit 2 dhe vdekjes së hershme kur ato zgjidhen mbi ushqimet me bazë shtazore.

Rezultatet nuk treguan asnjë përfitim të matshëm nga zëvendësimi i peshkut dhe ushqimeve të detit me opsione me bazë bimore, ndërkohë që nuk kishte prova që zëvendësimi i produkteve të qumështit mund të zvogëlonte rrezikun e sëmundjeve kardiovaskulare, megjithëse zëvendësimi i tyre me arra u shoqërua me një reduktim shumë të vogël të rrezikut të sëmundjes së parakohshme.

Studiuesja Dr Sabrina Schlesinger nga Qendra Gjermane e Kërkimeve të Diabetit, komentoi gjetjet e hulumtimit: “Shumë njerëz e nisin ditën e tyre me një vezë për mëngjes, por rezultatet e kësaj analize tregojnë se mund të jetë më mirë ta zëvendësoni atë me ushqime me origjinë bimore. Ekzistojnë gjithashtu prova që njerëzit mund të përfitojnë nga zëvendësimi i mishit të shpendëve me ushqime me bazë bimore, ndërsa të dhënat për bulmetin mbeten të pamjaftueshme”.

Studiuesit nënvizojnë, duke arritur në përfundimin, se nuk rekomandojnë përjashtimin e plotë të vezëve nga dieta, thjesht zëvendësimin e pjesshëm të tyre me arrat.

Copyright © 2024 Miks News. All rights reserved.