Bethlehemi do të ketë pamje të zymtë këtë fundvit.
Kishat kryesore në Bethlehem ranë dakord të anulojnë festimin e Krishtlindjes këtë vit në shenjë proteste kundër luftës në Gazë. Siç njofton korrespondenti i Zërit të Amerikës Yan Boechat, qyteti palestinez, që njihet si vendlindja e Krishtit, do të mbajë vetëm ceremoni fetare.
Bethlehemi do të ketë pamje të zymtë këtë fundvit. Qyteti palestinez, që të krishterët e nderojnë si vendlindje të Krishtit, nuk do të organizojë festë – nuk do të ketë drita festive, fishekzjarre e as bredh Krishtlindjesh. Tre kishat kryesore: Kisha Ortodokse Greke, Armene dhe Katolike janë pajtuar të mbajnë vetëm ceremoni fetare.
“Këtë vit do të jetë krejtësisht ndryshe. Nuk do të ketë drita festive, e as bredh festiv. Do të mbajmë zi për të vrarët në Gazë. Këtu mbretëron një atmosferë pikëllimi të thellë dhe të gjitha kishat kanë vendosur të mbajnë vetëm shërbime fetare për Krishtlindje,” thotë At Issa Musleh, zëdhënësi i Patriarkatit Ortodoks Grek.
Izraeli deklaroi luftë kundër Hamasit pasi militantët e organizatës, që qeveria amerikane e konsideron terroriste, ndërmorën një sulm të befasishëm ndaj Izraelit më 7 tetor. Rreth 1,200 njerëz janë vrarë dhe 240 janë rrëmbyer dhe po mbahen si pengje në Gazë. Hamasi qeveris Rripin e Gazës.
Në Bethlehem mbahet një nga festimet më të rëndësishme të Krishtlindjeve në botë. Çdo vit qyteti ndriçohet me mijëra drita dhe zbukurohet me një nga pishat më të larta të Krishtlindjeve në Tokën e Shenjtë.
Që kur ka nisur lufta ndërmjet Izraelit dhe Hamasit më 7 tetor, kishat në Bethlehem kanë pranuar vetëm besimtarët vendas. Turistët dhe pelegrinët kanë ikur, gjë që ka ndikuar në ekonominë e qytetit, që mbështetet tek turizmi. Tregtarët si Khadar Hussain pajtohen se është gjendje e zymtë, por thonë se është pak e tepruar që të mos ketë bredh Krishtlindjesh.
“Jam mysliman, por nuk mendoj se është vendim i qëlluar të mos e vendosim bredhin këtë vit. Kjo është një traditë; e kemi bërë me shekuj. Është simbol që na bashkon. Pajtohem se nuk duhet t’i ndezim dritat festive, por bredhin duhet ta vendosim,” thotë tregtari Khadar Hussein.
Njerëzit në Bethlehem thonë se Krishtlindja do të jetë e trishtuar. Jo vetëm për shkak se nuk do të ketë festë, por janë shumë të trishtuar për zhvillimet në Gazë. Ndonëse shumica janë të krishterë, ata thonë se janë edhe palestinezë dhe janë shumë të trishtuar për vrasjet, bombardimet dhe luftën në Gazë.
“Jemi të trishtuar, por e vetmaj gjë që mund të bëjmë është të lutemi ngaqë gjëja më e rëndësishme është lindja e Krishtit dhe lutjet. Festimet janë vlerë e shtuar. Nëse i anulojnë ato, në rregull, jemi të mërzitur; fëmijët tanë janë të mërzitur sepse u japin kënaqësi festimet, por gjënë më të rëndësishme vazhdojmë ta kemi,” thotë guida e turistëve, Willma Juha.
Kisha e Lindjes së Krishtit nuk do të mbyllet për Krishtlindje. Priftërinjtë thonë se do të jetë një Krishtlindje shumë e trishtë, por ceremonitë fetare do të vazhdojnë si zakonisht në të gjitha kishat.