Iryna Zarutska, 23 vjeçe, u vra me thikë në një tren në Charlotte, Karolina e Veriut. Sipas policisë, sulmi ishte i paprovokuar.
Decarlos Brown Jr, 34 vjeç, u arrestua dhe u akuzua për vrasje të shkallës së parë. Departamenti i Drejtësisë njoftoi se ndaj tij është ngritur edhe akuza federale për “shkaktim vdekjeje në një sistem transporti masiv”, krim që e bën të pranueshëm për dënimin me vdekje.
Prokurorja e Përgjithshme Pamela Bondi tha se do të kërkohej dënimi maksimal dhe se Brown “nuk do ta shohë më kurrë dritën e diellit si njeri i lirë”.
Pamjet e publikuara nga momenti i sulmit, të cilat Tiranapost nuk do t`i publikojë, shkaktuan indinjatë dhe ndezën sërish debatin për kriminalitetin në SHBA.
Bondi deklaroi: “Vrasja e Zarutskës është rezultat i drejtpërdrejtë i politikave të dështuara të buta ndaj krimit, që vendosin kriminelët përpara njerëzve të pafajshëm”.
Sekretari i Transportit, Sean Duffy, u shpreh: “Nëse kryebashkiakët nuk mund t’i mbajnë të sigurta trenat dhe autobusët e tyre, atëherë nuk meritojnë paratë e taksapaguesve”.
Iryna Zarutska kishte ardhur në SHBA në vitin 2022, pasi u largua nga lufta në Ukrainë me nënën dhe motrat e saj. Familja e përshkroi në një nekrologji online si “një artiste të talentuar dhe të apasionuar” që “u përshtat shpejt me jetën e saj të re”.
Krimi mori jehonë të madhe në Ukrainë, ku media raportoi me tronditje dhe hidhërim, duke theksuar debatin që ky rast ka hapur në Amerikë.
Republikanët dhe komentatorë konservatorë ngritën pyetje se pse Brown ishte i lirë, pavarësisht një historie të gjatë kriminale, përfshirë grabitje me armë të ftohtë, vjedhje dhe hyrje të paligjshme në banesa. Krimi mendohet se kishte motiv racor, pasi vrasësi ishte me ngjyrë dhe pas krimit thoshte: E kapa atë vajzë të bardhë.
