Ngjarja e rëndë e mëngjesit të kësaj të enjteje ka tronditur të moshuarit që jetojnë në azil.
78-vjeçar i identifikuar si Zyhdi Shehi goditi disa herë me bastun hekuri shokun e tij të dhomës, duke i shkaktuar dëmtime të mëdha. Për pasojë i moshuari, Virxhil Vesho, 82 vjeç, gjeti vdekjen e menjëhershme.
Haziz Abdija, i cili jeton në azilin ku ndodhi ngjarja e rëndë, theksoi se autori jetonte aty së bashku me bashkëshorten e tij. Ai theksoi se kushtet dhe kujdes ndaj të moshuarve në këtë azil janë të mira.
“Autori ka dhe gruan në azil. Mirë na trajtojnë. Kemi dhe infermiere. Po, kemi kujdes”, tha Haziz Abdija.
Po ashtu, për mediat ka folur edhe motra e një prej të moshuarve që jeton në këtë azil. Ajo theksoi se është e kënaqur me kujdesin që tregohet ndaj tyre.
“Vëllai im deri tani ka qenë i kënaqur. Vëllai im ka qenë në këtë azil prej një viti e gjysmë. Këtu iu duk vend më i mirë. Vëllai ndihet shumë mirë këtu. Nuk ka pasur probleme”, tha Fatmir Abdija.
Sipas policisë viktima është Virxhil Vesho, 82 vjeç, i cili ka ndërruar jetë pas goditjeve dhe traumave në pjesën e kokës.
Mësohet se debati ka qenë banal teksa autori i ka kërkuar llogari shokut të dhomës se pse i kishte zënë krevatin. Të dy të moshuarit dyshohet se vuanin nga skleroza.