Ritmet e ikjes së shtetasve shqiptarë në emigracion duket se janë ngadalësuar këtë vit, pasi kulmuan sërish në 2021-2022, pas heqjes së kufizimeve nga pandemia.
Të dhënat e EUROSTAT për aplikimet për azil tregojnë se ritmet e kërkesave për azil nga shtetasit shqiptarë kanë rënë ndjeshëm në muajt e këtij viti, sidomos gjatë periudhës së verës, kur tradicionalisht kishte më shumë ikje.
Sipas EUROSTAT, në periudhën janar-gusht 2023 kishte gjithsej 4560 kërkesa për azil nga shtetasit shqiptarë, me një rënie prej 32% në krahasim me të njëjtën periudhë të një viti më parë. Në korrik dhe në gusht, kërkesat për azil u përgjysmuan në krahasim me periudhat përkatëse të një viti më parë, ndërsa ishin në rënie dhe në krahasim me muajt e parë të vitit. Gjatë 2022, kishte ndodhur e kundërta, me kërkesat për azil që rriteshin duke filluar nga maji. Kërkesat për azil janë treguesi i parë i tendencës së emigrimit. Vitin e kaluar u shënua një rritje e ndjeshme e tyre.
Në vitin 2022, sipas të dhënave të EUROSTAT, (që nga viti 2020 i raporton të dhënat për 27 vendet e Bashkimit Europian pa Mbretërinë e Bashkuar), në total kishte 13.2 mijë aplikime për azil në një nga vendet e Bashkimit Evropian, niveli më i lartë që nga 2020-a.
Në krahasim me një vit më parë, aplikimet për azil u rritën me 16%. Ndërsa të dhënat e tjera, të publikuara nga Zyra e Statistikave të Emigracionit,Mbretëria e Bashkuar dhe tregojnë se numri i aplikimeve për azil gjithsej nga shtetasit shqiptarë në Mbretërinë e Bashkuar ishte 15,925, duke shënuar një nivel rekord për këtë vend.
Së bashku me Mbretërinë e Bashkuar, numri total i aplikimeve në Europë arriti në 30 mijë, niveli më i lartë që nga 2006-a. /Monitor/